E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e energjise rebelon biznesmenet e Gjirokastres

“Kontratat me CEZ-in janë diskriminuese”

Përfaqësues të biznesit gjirokastrit kanë protestuar dje kundër ndërprerjeve të energjisë elektrike. Ata janë ankuar se po u shkaktohet një dëm i jashtëzakonshëm dhe se furnizimi me energji elektrike po bëhet në mënyrë të diferencuar.

Më shumë se 50 biznesmenë, përfaqësues të rreth 30 subjekteve të të gjitha madhësive, kanë protestuar përpara nënstacionit të vjetër elektrik të filialit të “CEZ Shpërndarja”, të mbështetur edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Gjirokastër. Ata kërkuan takim me përfaqësues të “CEZ Shpërndarjes” për Qarkun e Gjirokastrës, por kur nuk pati asnjë reagim nga drejtuesit, kanë shpërthyer gardhin e nënstacionit të vjetër duke hyrë brenda me forcë.

Ndërkaq, lidhur me mungesën për ditë të tëra të furnizimit me energji elektrike, Mustafa Devolli, kryetari i Dhomës së Tregtisë për Qarkun e Gjirokastrës, tha para protestuesve se, situata e mungesës së energjisë ka shkaktuar një humbje të konsiderueshme financiare për dhjetëra biznese, që në kushtet e krizës kanë mundur të mbijetojnë. “Por nuk është vetëm mungesa, më e rrezikshme është situata e trajtimit të diferencuar në furnizim, pasi ky trajtim i diferencuar dëmton jo vetëm biznesin si ekonomi, por nxit konkurrencën e pandershme në treg”, ka thënë Devolli.

Ndërkaq, biznesmeni Adriatik Onjea u bëri thirrje deputetëve dhe strukturave të qeverisjes vendore, që të ndërhyjnë me vendosmëri dhe shpejt për zgjidhjen e këtij problemi, pasi, sipas tij, së shpejti afrohen edhe zgjedhjet e pushtetit vendor dhe nuk është aspak e moralshme që qytetarëve t’u kërkohet vota kur nuk u shërbehet. Biznesmenët e konsideruan të papranueshëm faktin që prej disa muajsh biznesi në Jug të vendit është i bllokuar nga mungesa e energjisë elektrike, e cila, sipas tyre, vjen e ikën pa asnjë paralajmërim dhe shpeshherë shpërndahet në mënyrë të diferencuar vetëm në disa të privilegjuar.

Një nga kërkesat kryesore të protestuesve është fillimi i procedurave për marrëveshje apo kontratë ligjore të një lloji tjetër me subjektin furnizues të energjisë, ku duhen përcaktuar penalitetet në rastin e dëmtimit të njëanshëm të biznesit nga “CEZ Shpërndarja”. Askush nuk merr përsipër rritjet e kostos nga përdorimi i këtyre bizneseve, të cilët për afro tre muaj po punojnë me anë të gjeneratorëve, ndërkohë që edhe çmimi i naftës është rritur

Pavarësisht se në këtë protestë pati një numër të kufizuar përfaqësuesish të biznesit, në Prefekturën e Gjirokastrës kryejnë aktivitetin e tyre privat mbi 2500 subjekte prodhimi, shërbimi dhe tregtare. Ndërkaq, pritet që protestat të përshkallëzohen në ditët në vijim, duke përfshirë komunat.

Janë rreth 15 komuna në Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet që ankohen se trajtohen në mënyrë të diferencuar nga bashkitë e rajonit jugor. “Ky trajtim i diferencuar midis fshatit dhe qytetit nuk ka pasoja vetëm në dëmtimin e biznesit për sa u përket normave që ndiqen për furnizimin me energji elektrike, por dëmet dhe pasojat më të mëdha i ka shkaktuar te banorët e komunave, të cilët furnizohen vetëm me 2-3 orë energji në 24 orë. Banorët e më shumë se 15 komunave të qarkut nuk arrijnë të realizojnë shumë nga nevojat e tyre më jetësore dhe më elementare. Fëmijët shkojnë të papërgatitur nëpër shkollat e këtyre komunave, ndaj në kemi vendosur të protestojmë dhe ndoshta edhe më ashpër se biznesmenët”, tha për “Shqip” kryetari i Komunës së Sukës në Përmet, Ali Delilaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›