E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari, 16 dokumentet që u duhen kandidatëve për kryetar gjykate

KLD-ja publikon procedurat e konkurrimit të aplikuesve
Laureta Rryçi

Tiranë - Edhe pse një ditë pas largimit të 14 kryetarëve, gara ka nisur për kandidatët që duan të aplikojnë për këto poste. Edhe pse duhet t’u nënshtrohen rregullave të reja, pritet që kandidimi të jetë më i fortë se herët e tjera. Gjyqtarët që kanë pasur si ambicie në karrierën e tyre, si asnjëherë më parë, kanë 14 alternativa për të bërë realitet ambicien e tyre. Megjithatë, përpos dëshirës së madhe, ata do t’i nënshtrohen disa procedurave përpara se të mbërrijnë në këshill për t’u votuar. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë formularin që duhet të plotësojë gjithsecili prej kandidatëve.
Vendet vakante
Në kushtet e konstatimit të krijimit të vendeve vakante për funksion drejtues në pozicionin e kryetarit të Gjykatës për dhjetë gjykatat e rretheve të mësipërme gjyqësore dhe katër gjykatat e Apelit, me qëllim plotësimin e tyre, Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi të shpallë fillimin e procedurës për konkurrim. Trupa gjyqësore të secilës prej gjykatave ku janë shpallur vendet vakante u është lënë detyrë të paraqesin kandidaturat për konkurrimin në pozicionin drejtues në respektim të Nenit 6.2 dhe 6.3 të Vendimit Nr. 214/2, datë 12.07.2007, “Për funksionet drejtuese në gjykata”, i ndryshuar, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk limiton të drejtën e gjyqtarit për rikandidim, në procesin e konkurrimit nuk përjashtohen të kandidojnë edhe gjyqtarët që deri sot kanë qenë në një pozicion të tillë drejtues.
Komandimi
Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendosi që në vendet vakante të mësipërme për kryetar të gjykatës, të krijuara për shkak të mbarimit të mandatit katërvjeçar të ushtrimit të funksionit drejtues, kryetarët aktualë, të cilëve u ka mbaruar mandati, do të vazhdojnë në ushtrimin e këtij funksioni deri në zgjedhjen e kryetarëve që do të procedojnë me drejtimin e gjykatave të dy niveleve të para në Republikën e Shqipërisë, për një afat jo më shumë se tre muaj.

Box

FORMULAR PERSONAL
i konkurruesit për plotësim vendi vakant

Emri: ________________

Mbiemri: ________________

Datëlindja: ________________ (dita, muaji, viti)

Vendlindja: ________________

Vendbanimi: ________________ (adresa e saktë dhe e plotë)
Kontakti: tel/fax, e-mail)

Arsimi: ________________ (titulli i diplomimit; Universiteti dhe koha e diplomimit)

Mënyra e studimit: ________________

Nota mesatare: ______

Kualifikime: ________________

Gjuhët e huaja: ________________ (me ose pa dëshmi)

Punësimi/karriera: ________________ (që nga koha e diplomimit; përfshirë edhe punësime eventuale para diplomimit)

Masa disiplinore: ________________ (në qoftë se ka; lloji i masës dhe koha kur është dhënë)

Vlerësimi profesional:________________ (sipas sistemit të vlerësimit)

Shënim: Ky formular duhet të plotësohet në të gjitha rubrikat dhe sipas renditjes në këtë fletë ose edhe në një fletë tjetër.

Dokumentacioni i detyrueshëm

Çdo fashikull duhet të përmbajë detyrimisht:
1. Dekretin e Presidentit të Republikës ose ekstrakt nga akti i emërimit si gjyqtar
2. Kopjen e diplomës së Fakultetit të Drejtësisë / Shkolla e Magjistraturës
3. Kopjen e listës së notave
4. Certifikatën e gjendjes familjare
5. Fotografi (format 9x12, 2 copë)
6. Dëshminë e gjendjes gjyqësore
7. Karakteristikën nga Shkolla e Magjistraturës (vetëm për Magjistratët)
8. Vendimet për transferim, dhënie funksionesh drejtuese, lirim nga detyra
9. Certifikata për pjesëmarrje në trajnime të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës
10. Dokumente vërtetuese të titujve të studimit, të fituara pas emërimit në detyrë, gjatë kurseve të trajnimit, arsimimit, nga veprimtari shkencore, mësimdhënieje dhe në përgjithësi çdo dokument tjetër lidhur me përgatitjen teknike dhe profesionale të gjyqtarit, mes të cilëve dhe dëshmitë për pjesëmarrje në vizita studimore të organizuara nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë
11. Vlerësimi vjetor i punës i bërë nga kryetari i gjykatës ku ushtron aktivitetin gjyqtari, dokument që duhet të dorëzohet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë brenda muajit janar të vitit pasardhës
12. Të gjitha vlerësimet e aftësive profesionale dhe të çështjeve të etikës në vite
13. Vendime për masa disiplinore
14. Dokumente lidhur me gjendjen shëndetësore (invaliditeti ose sëmundjeje)
15. Akte të tjera të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Presidentit të Republikës, të Konferencës Gjyqësore Kombëtare dhe të zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë
16. Procesverbalet e kontrolleve të bëra nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

11 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›