Formulari A1Z, 1-15 maj afati i plotësimit
Vetëm kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit do ta plotësojnë formularin A1Z në periudhën 1-15 maj 2011, kurse të tjerët duhet ta dorëzojnë atë të plotësuar brenda datës 10 mars. Komisioni, pasi njeh vlefshmërinë e dëftesës/diplomës shkollore, mbi bazën e dokumentacionit të paraqitur, përcakton provimet që do të japë shtetasi shqiptar sipas rasteve dhe përcjell zyrtarisht dokumentacionin në KMSh-në e DAR/ZA-së, ku shtetasi shqiptar ka vendbanimin, deri në datën 30 prill 2011. KMSh e DAR/ZA-së i përcjell këto të dhëna në AKP dhe cakton shkollën ku kandidati do të japë provimet e Maturës Shtetërore .Formularët A1Z, të plotësuar nga kandidatët për të cilët bën fjalë ky udhëzim, dorëzohen zyrtarisht nga DAR/ZA në AKP, së bashku me përmbledhësen e të dhënave të tyre, brenda datës 5 maj 2011. Shtetasit shqiptarë që duan të studiojnë në programet e studimit të universiteteve publike me kohë të pjesshme, përveç kritereve të parashikuara nga ky udhëzim, u nënshtrohen dhe kritereve të parashikuara nga udhëzimi i posaçëm i MASH-it për këto programe studimi. Në rastet kur komisioni i posaçëm vlerëson se shtetasi shqiptar i ka kryer të gjitha detyrimet e Maturës Shtetërore dhe ka dhënë edhe provime pranimi për në universitetet ose shkollat e larta jouniversitare të vendit nga ku ai vjen, atëherë komisioni përllogarit notën mesatare, notat e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje dhe ia përcjell dokumentacionin Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Në këtë rast, shtetasi shqiptar do të vijojë plotësimin e dokumentacionit me formularin A2, pranë KMSh-së së DAR/ZA-së ku ka vendbanimin e tij.