E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët nga jashtë vendit, procedurat e provimeve të Maturës

SHKRUAN: Jonida Tashi 19-02-2011 10:25

Përcaktohen rregullat që duhet të ndjekin maturantët që e kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit, për t’u regjistruar në provimet e Maturës 2011. Ministria e Arsimit publikon udhëzim për procedurat e njehsimit të dëftesave/diplomave të shkollave të mesme dhe regjistrimin në maturën shtetërore 2011 të shtetasve shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit. Sipas këtij udhëzimi, shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë shtetit kanë të drejtë të vazhdojnë programet e studimit në institucionet e arsimit të lartë me kohë të plotë dhe kohë të pjesshme në Republikën e Shqipërisë, me kusht që të zotërojnë gjuhën shqipe në një nivel të pranueshëm për të vijuar studimet universitare. Zotërimi i gjuhës shqipe do të vërtetohet nëpërmjet dëshmisë së provimit që zhvillohet mbi bazën e programit për të huajt pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Ndërsa procedura e dhënies së provimit të gjuhës shqipe, programi dhe tarifa e këtij provimi do të përcaktohen nga Fakulteti Histori-Filologjisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, në Ministrinë e Arsimit. Koha e dhënies së provimit të gjuhës shqipe pranë Fakultetit të Histori-Filologji është brenda muajit maj 2011. Ndërkaq, nga detyrimi i dhënies së provimit të gjuhës shqipe do të përjashtohen të gjithë ata shtetas, të cilët kanë vazhduar studimet në shkollën e mesme në institucione arsimore që kanë program mësimor në gjuhën shqipe, ose ata shtetas që e japin gjuhën shqipe dhe letërsinë si provim të detyruar të Maturës Shtetërore. Për këtë proces, ministri i Arsimit do të ngrejë një komision të posaçëm pranë MASH-it për të shqyrtuar kërkesat e shtetasve shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit. Për t’u regjistruar në provimet e Maturës 2011, shtetasit shqiptarë që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit, duhet të paraqesin pranë komisionit të posaçëm, nga data 1 deri më 15 prill, dokumentet e mëposhtme: kërkesën me shkrim për të vazhduar një program studimi në universitetet publike; ftesën/diplomën origjinale së bashku me listën e notave të të gjitha viteve të shkollës së mesme, të përkthyera dhe të noterizuara; kopje e noterizuar e pasaportës ose e kartës së identitetit; dokument zyrtar nga vendi që vjen, i cili vërteton se cikli i studimeve të kryera nga shtetasit shqiptarë në atë vend dhe profili i shkollës së mesme që kanë përfunduar u japin të drejtën të vazhdojnë studimet universitare ose shkolla të larta jouniversitare në vendin ku kanë studiuar. Në rastet kur komisioni i posaçëm vlerëson se shtetasit shqiptarë që kanë kryer arsimin e mesëm jashtë vendit nuk kanë dhënë provimet ekuivalente me Maturën Shtetërore (D1, D2, Z1 dhe Z2), për t’u pranuar në universitetet publike shtetasit duhet: të japin si provime të detyruara Gjuhën shqipe e Letërsinë dhe Matematikën, ose një nga gjuhët e huaja të listës së lëndëve me zgjedhje, e konceptuar sipas standardit të testit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë (D1), si dhe provimet me zgjedhje sipas procedurës së përcaktuar në rregulloren për zhvillimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2011, në Republikën e Shqipërisë. Pas përfundimit të këtyre detyrimeve, shtetasi shqiptar që ka kryer arsimin e mesëm jashtë vendit, pajiset me një certifikatë të dhënies së provimeve të detyruara dhe të atyre me zgjedhje. Ky dokument lëshohet nga Agjencia e Kombëtare e Provimeve. Në rastet kur komisioni i posaçëm vlerëson se dokumentet shkollore të shtetasve shqiptarë nuk provojnë dhënien e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore, por vetëm ato me detyrim, D1 dhe D2, atëherë ky komision përllogarit notën mesatare të viteve të shkollimit dhe notat e provimeve të detyruara D1 dhe D2. Në këtë rast, shtetasi shqiptar është i detyruar të japë vetëm provimet me zgjedhje.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›