E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transplantimi i parë, 19-vjeçarja: Sot rilind



Matildën edhe dje e gjetëm duke bërë dializën, me buzëqeshje në fytyrë, po gëzohej se që nga dita e sotme ajo do të mund t’i thoshte lamtumirë aparaturës së dializës. Nga sot ajo do të jetë e pavarur nga ai aparat. Dhurimi i veshkës nga i ati dhe realizmi i transplantit ishte si një ëndërr që më në fund do të bëhej realitet. Matilda Gode është vajza e parë që do të hyjë në sallën e operacionit për transplantimin e veshkës.

Matilda

“Për mua bërja e transplantit është ende e pabesueshme, është si një ëndërr që do të bëhet realitet se pas kësaj, unë do të shërohem. Unë ndihem mirë që m’u dha kjo mundësi, pasi unë dua të bëhem mirë për prindërit e mi dhe të afërmit, ata do të vijnë të gjithë që të më shohin”, - shprehet Matilda. Megjithëse në fillim buzëqeshja e saj ishte e sinqertë dhe e çiltër, teksa bisedoje me të, nuk mund të mos e kuptoje se sytë e saj shprehnin frikë. Herë pas here ajo fshinte lot. Brenda saj diçka ziente fort. E teksa e pyesje, ajo thoshte se qante nga gëzimi. Nga dera hyn njëra nga doktoreshat që e ka ndjekur nga fillimi i sëmundjes. Për Matildën prania e saj ishte një siguri më shumë. Teksa mjekja hyn brenda, 19-vjeçarja nga Korça nuk resht së falënderuari ata që i mundësuan një jetë më të mirë.

Mjekë urologë dhe nefrologë, nën asistencën e kirurgëve italianë, do të kryejnë sot transplantin e parë të veshkave në vend. Pas dy vjet përgatitjesh dhe kryerje transplantesh në vendin fqinj, Itali, mjekët shqiptarë për herë të parë kryejnë sot një ndërhyrje të tillë edhe në Shqipëri. Ekipi mjekësor i përbërë prej 10 doktorësh do të kryejë transplantin e veshkave mbi një vajzë 19-vjeçare, e cila për dhurues ka të atin 50-vjeçar.

E ëma

Matilda Gode, 19-vjeçarja nga Korça, ka vetëm pak muaj që mbijeton me sëmundjen e rëndë të azotemisë në veshka. Nikoleta Gode, e ëma, tregon për gazetën “standard” sëmundjen e rëndë të Matildës dhe kënaqësinë që ndjeu kur doktorët i komunikuan për transplantin. “Sëmundja i filloi tetorin e vitit të kaluar, para 6 muajsh, ajo u ënjt komplet në trup. Menjëherë pas kësaj e sollëm këtu në QSUT për ta vizituar. Ndjekja e saj u bë nga doktoreshë Arjana Strakosha. Në fillim i bënë kartoterin, më pas e futën në dializë se në atë gjendje kishte arritur. Sëmundja e saj ka qenë shumë e papritur për ne, se ajo nuk ishte sëmurur asnjëherë më parë. Gjithçka ndodhi menjëherë. Kur erdhëm këtu në QSUT, mjekët na ndihmuan shumë. Duke parë edhe gjendjen e rëndë të vajzës pas disa muajsh na komunikuan se do të bënin transplantin. Ne u gëzuam shumë”. Me sy të përlotur Gode pohon se pas shumë peripecish, pasi ajo u skualifikua nga mundësia për t’i dhuruar veshkën vajzës, tanimë që i ati do t’i dhurojë veshkën shpreson vetëm që gjithçka të shkojë sa më mirë. Për të Matilda është si sytë e ballit, pasi ajo është fëmija i parë dhe më të vogël ka djalin 15-vjeçar. “Jam shumë e gëzuar që vajzës po i bëhet transplanti dhe që po ia dhuron babai veshkën”, - me sy të përlotur nuk pushon së falënderuari mjekët me shpresën që sot vajza e saj të rifitojë një veshkë dhe bashkë me të edhe mundësinë për një jetë më të mirë.

Pritjes së ankthshme i erdhi fundi. Ëndrra e kahershme për realizmin e transplantit të veshkave në vendin tonë po bëhet realitet. Matilda Godes, vajza 19-vjeçare nga Korça, sot do t’i dhurohet veshka nga babi i saj 50-vjeçar, duke hapur kështu siparin për realizmin e transplanteve të para të veshkave në vend.

Nefrologët: Emocion dhe përgjegjësi për realizimin e transplanteve

Mjekët nefrologë dhe urologë do të kryejnë transplantin e veshkave sot nën asistencën e kirurgëve italianë në pavijonin e Urologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Pas pritjes maratonë dhe ndryshimit të kalendarit, sot pacientët shqiptarë do të mund të kryejnë transplantin e veshkave. Realizimi i këtij lloj operacioni në QSUT vjen si rrjedhojë e vënies në jetë të projektit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë shqiptare dhe palës italiane në kuadër të programit INTERREG III për Shqipërinë. Për realizimin e këtij projekti janë bërë përpjekje të vazhdueshme nga të gjithë aktorët e përfshirë për një periudhë kohore mbi 2-vjeçare gjatë të cilës u investua në krijimin e infrastrukturës së nevojshme sipas standardeve bashkëkohore, duke përfshirë rikonstruksionin e sallave të operacionit dhe reanimacionit, pajisjen me aparatura dhe mjete të sofistikuara, si dhe kualifikimin e personelit mjekësor. Doktoreshë Arjana Strakosha tregon për “standard” punën disavjeçare të mjekëve shqiptarë dhe përpjekjet e tyre për të arritur më pas në realizmin e këtij lloj operacioni edhe në vendin tonë.

Si filloi historia e transplantit?

Fillimisht, të gjithë pacientët bënin transplante në Turqi, Greqi dhe Itali. Kryesisht ishin emigrantët ata që detyroheshin të bënin këto ndërhyrje me financimet e tyre jashtë shteti. Erdhi një moment që kostoja e mjekimit pati lëvizje, kështu që vinin e merrnin medikamentet këtu me rimbursim. Para katër vjetësh, u bë njësia e transplantimit. U mblodhën mjekët, u specializuan. U krijua një regjistër. U bënë protokollet e mjekimit, protokollet e ndjekjes. U bënë rastet e para ku u përgatitën marrësi dhe dhënësi. Ndërkohë që janë kryer edhe disa transplante në një spital privat në vend. Aktualisht, ata po ndiqen nga stafi mjekësor i QSUT-së. Projekti INTERREG III është iniciuar që në 2005-n. Fillimisht, nisi me trajnimin e stafit mjekësor, kemi qenë për gati një vit vajtje-ardhje në Itali, unë dhe doktoreshë Alma Idrizi. Kemi ndjekur transplante në sallë dhe pas operacionit. Tani ka ardhur edhe etapa përfundimtare, pasi u poqën kushtet, u ngrit laboratori i imunologjisë përmes të cilit bëhet pajtueshmëria, erdhën medikamentet më të shtrenjta. Pasi u pasura infrastruktura, po vihet në zbatim realizmi për herë të parë i transplanteve. Laboratori, salla e kirurgjisë që ka aparatura nga më modernet, medikamentet dhe stafi është ndër më të përgatiturit.

Si ka qenë historiku mjekësor i pacientes Matilda?

Pacientja erdhi për herë të parë në tetorin e kaluar, me azotemi dhe me insuficiencë renale kronike, që do të thotë se veshkat i kishte të dëmtuara dhe pothuajse nuk funksiononin fare. Nuk jepte asnjë të dhënë që të kishte kaluar sëmundje më parë. U vendos hapi i parë që të futej në hemodializë, sepse ishte në gjendje shumë të rëndë, me anemi. Më pas u vendos që të futej në listën e pritjes për kryerjen e transplantit. Fillimisht u bënë ekzaminimet tek e ëma, mirëpo ajo u skualifikua, sepse kishte probleme, sëmundje. Doli vullnetar i ati, u ekzaminua e rezultoi të ishte dhuruesi perfekt. U vendos që të mbahej dhurues i ati 50-vjeçar.

Cili është stafi përbërës i transplanteve?

Mustafa Xhani, Bilbili, Aurel Janku, Ilir Olli prof. Batalja de Tono janë stafi kirurgjikal që do të jenë nesër (sot) në sallë. Do të jenë gjithashtu dhe pesë nefrologë, prof. dr. Nestor Thereska, Alma Idrizi, Myftar Barbullushi, Sul Kodra, Arjana Strakosha.

Cilat janë emocionet e stafit mjekësor dhe pritshmëritë?

Në fakt, është hera e parë që mjekët shqiptarë po kryejnë një ndërhyrje kaq të rëndësishme në vendin tonë. Në fazat e para mjekët shqiptarë ishin thjesht asistentë gjatë kryerjes së tranplanteve në Itali. Ndërsa sot është ndryshe, do të jenë mjekët shqiptarë që do të kryejnë transplantin e veshkës nën asistencën e kirurgëve italianë. Kemi emocione, kemi ankth, pasi kirurgët italianë do të rrinë vetëm një ditë, më pas do të ikin. Jemi optimistë, shpresojmë që gjithçka do të shkojë mirë.

Transplanti

Transplanti është terapi zëvendësuese e veshkave që nuk funksionojnë më, ashtu si procesi i dializës. Aparati i dializës është veshkë artificiale. Ndërkohë që kjo lloj metode ka vështirësitë e veta, pasi pacienti krijon një lloj varësie. Personi që kryen dializën, ka njëfarë varësie ndaj aparaturës, pasi i duhet të vijë tri herë në javë në spital. Ndërsa transplanti është paksa më ndryshe. Pacientit të transplantuar i dhurohet veshka nga familjarë, në këtë mënyrë i mundësohet një jetë më normale për të bërë aktivitetet e përditshme. Por ka edhe anën tjetër negative, që pacienti duhet të jetë tërë jetën nën varësinë e medikamenteve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›