Legalizohen 62 shtesa pallatesh në Durrës
Shtesat ilegale të pallateve, një nga problemet kryesore të Durrësit, duket se kanë marrë rrugën e zgjidhjes. Javën e kaluar janë legalizuar nga ALUIZNI i Durrësit 62 shtesa pallatesh, nga rreth 100 që janë në total. Procesi i legalizimit ka nisur me ritme mjaft të mira, kjo vlen edhe për legalizimin e shtesave të pallateve. Andi Lila, kreu i ALUIZNI-t Durrës, deklaroi për gazetën “standard” dje: “Apelit tonë i janë përgjigjur menjëherë pronarët e shtesave të pallateve pa leje, ata kanë bërë derdhjet e parave në bankë dhe janë në pritje të marrjes së certifikatave të pronësisë nga ana e agjencisë”.
Legalizimet
Lila deklaroi: “Gjatë javës që shkoi, janë legalizuar 62 shtesa pallatesh, të cilat gjenden brenda në qytet. Pronarët e tyre kanë realizuar të gjitha detyrimet financiare dhe janë pritje të marrjes së certifikatave të pronësisë që janë në proces në zyrën përkatëse”.
Prej një jave, në degën e ALUIZNI-t në Durrës, ndihet gjallëri e paparë, kjo për shkak se po punohet për legalizimin e shtesave të pallateve të ndërtuara përpara viteve ’90. Në këtë qytet numërohen 100 shtesa pallatesh të asaj kohe. Në bazë të ligjit për legalizimin, një pjesë e parave të derdhura nga pronarët e shtesave të pallateve në bankat përkatëse ka kaluar automatikisht në buxhetin e bashkisë së qytetit.
Situata
Lila tha se “deri tani në degën e Thesarit, për llogari të bashkisë janë arkëtuar 10 milionë lekë të reja dhe nga bankat janë nisur po në atë destinacion edhe 15 milionë lekë të reja. Vonesa e këstit të dytë është krijuar për shkak të ditëve të pushimit pasi bankat nuk kanë punuar”.
Ndërkohë, bëhet e ditur se procedurës së legalizimit po i nënshtrohen edhe shtesat e kateve pa leje në pallatet e ndërtuara pas vitit 1990. Janë me dhjetëra pronarë që kanë trokitur në dyert e ALUIZNI-t, për të nisur procedurat e legalizimit. Kjo kategori do të paguajë më shtrenjtë se të parët, pasi sipërfaqet që ata kanë zënë, janë shumë më të mëdha.
Vëmendja e specialistëve është drejtuar edhe në dy skolina toke në ish-Kënetë. Meqenëse këto territore janë me studim urban, legalizimi i banesave të ndërtuara pa leje nuk bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi një pjesë e ndërtimeve pa leje nuk mund të legalizohet, pasi bie ndesh me dokumentin themeltar të shtetit, Kushtetutën.