E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kueiroz: Kristiano Ronaldo s‘është spanjoll!

Zv/trajneri i Mançester Junajtid, Karlos Kueiroz, ka sulmuar shumë ashpër kombin spanjoll dhe Realin e Madridit rreth asaj që ai e ka cilësuar si një tentativë për të natyralizuar Kristiano Ronaldon. Trajneri portugez ka bërë një krahasim të çuditshëm mes futbollistit dhe Kristofor Kolombit, duke i lënë të gjithë me gojë hapur, edhe për faktin se pikërisht Kueiroz ka qenë trajner i madrilenëve disa vite më parë.

Reali i Madridit nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të blerë Kristiano Ronaldon, duke shtyrë Mançester Junajtid të bëjë një ankesë zyrtare te FIFA rreth kësaj çështjeje. Por Kueiroz mendon se dëshira për bashkëkombësin e tij është më shumë se ajo për një lojtar të mirë, duke aluduar hapur për rivalitetin historik mes Spanjës dhe Portugalisë. "Kristiano Ronaldo nuk do të jetë asnjëherë spanjoll! Ata nuk do ta marrin kurrë Olivencën", ishte deklarata shokuese e Kueiroz në gazetën portugeze "Jornal do Noticias", duke iu referuar qytezës së vogël në kufirin e dy shteteve që ka ngjallur mjaft debate politike dhe territoriale. Kueiroz më pas është kthyer edhe më shumë në kohë, duke përmendur eksploratorin Kristofor Kolombi apo dinastinë Filipine, kur për 60 vjet Portugalia e pushtuar u drejtua nga mbretërit spanjollë. "Ata kanë bërë të njëjtën gjë me Kristofor Kolombin dhe tashmë duket se dëshirojnë të natyralizojnë edhe Kristiano Ronaldon", vijoi ai. "A e kanë harruar ata që tani se çfarë u kemi bërë ne në të kaluarën? Ne nuk do ta humbim kurrë durimin tonë". Kueiroz është shprehur se tentativat e spanjollëve kishin ardhur në momentin më të vështirë, kur Portugalia po përgatitet të marrë pjesë në EURO 2008. "Gjithçka po bëhet në mënyrë që të shpërqendrohet kombëtarja e Portugalisë, në një kohë kur ajo po përgatitet për Kampionatin Evropian. Por unë jam i bindur se pavarësisht trysnisë nga shtypi sportiv spanjoll, ai nuk do të pranojë ta ndryshojë kombësinë e tij. Megjithatë, ky është një sulm me një strategji të studiuar mirë dhe Portugalia duhet të shqetësohet për një gjë të tillë", ishin fjalët e Kueiroz. Trajneri portugez shihet nga të gjithë si pasardhësi i Aleks Ferguson në stolin e "djajve të kuq", pasi skocezi të vendosë të dalë në pension.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›