Tafaj inkurajon privatët:Investoni në cilësi
Lehtësira fiskale dhe një nivel të ri bashkëpunimi me qeverinë. Dje ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, u takua me disa përfaqësues të shkollave të larta private në vendin tonë. Rektorët e këtyre institucioneve janë ulur në diskutim me ministrin për të dhënë një panoramë të arsimit privat në Shqipëri dhe të asaj që duhet të bëhet. Cilësia e mësimdhënies dhe projektet për thellimin e procesit të reformimit e modernizimit, me theks zhvillimin e një arsimi cilësor, kanë qenë pikat më kryesore rreth të cilave kanë biseduar të pranishmit. Ministri nga ana e tij ka shprehur inkurajimin dhe përkrahjen që do të burojë nga institucioni që ai drejton karshi këtyre universiteteve. “Qeveria është shumë e impenjuar për t’i krijuar lehtësira arsimit të lartë privat. Gjatë këtij mandati reformimi i sistemit të financimit në arsimin e lartë është prioriteti kryesor në këtë fushë”, u shpreh Tafaj. Rektorët Besnik Aliaj dhe Aleks Luarasi si dhe administratori i Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çili, kanë falënderuar ministrin Tafaj për mbështetjen që po jep në zhvillimin e këtij arsimi, dhe e njohën me angazhimet konkrete të tyre. Nga ana tjetër ata kërkuan një nivel të ri bashkëpunimi mes qeverisë dhe aktorëve të rinj, lehtësimin fiskal për heqjen e TVSH-së dhe mundësitë reale për të inkurajuar në drejtime të ndryshme zhvillimin e sektorit privat. Ndërkohë ministri nga ana e tij ka vënë theksin te plotësimi dhe kualifikimi që kanë stafet në këto universitete, duke i sugjeruar që ata të bëjnë investime për burimet njerëzore, veçanërisht në rekrutimin e asistentëve dhe pedagogëve me mastera dhe doktorata. “Ju inkurajoj për të thithur më shumë kandidatë në kuadër të programit ‘Brain Gain’”, është shprehur kreu i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Kurse porsa i përket bashkëpunimit, Tafaj është shprehur pozitiv. Ai ka theksuar se universitetet publike dhe private duhet të jenë më afër njëri-tjetrit. Ai ka premtuar se do të japë më shumë mbështetje për arsimin e lartë privat, duke krijuar një drejtori të posaçme për zhvillimin e arsimit privat. Në këtë drejtori do të ngrihen grupe pune që do të hartojnë mënyrat konkrete se si do të ndihmojë shteti këtë sektor, duke i ofruar edhe përfaqësim në organet kolegjiale vendimmarrëse të arsimit. n.m