E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, socialistët protestojnë sot në Berat

BERAT-Socialistët pritet të protestojnë sot në Berat për hapjen e kutive të 28 qershorit. Është zgjedhur pikërisht Berati si qyteti i dytë i protestës për të kërkuar transparencë, si një nga qytetet ku PS-ja pati kundërshtime dhe pretendoi se ju vodh një mandat deputeti. Dega lokale e PS-së në këtë qytet i ka bërë thirrje dje anëtarëve dhe simpatizantëve të kësaj partie, por dhe qytetarëve të Beratit për të dalë në shesh dhe protestuar për vjedhjen e votës. Ka qenë kryetari i PS-së, Selman Hodaj, i cili ka bërë thirrje në një konference për shtyp dhe ka kërkuar vëmendjen e qytetarëve të Beratit për t’u bërë pjesë e protestës. “Zgjedhjet e 28 qershorit ishin një farsë elektorale, ku Shqipëria humbi përsëri shansin për të bërë zgjedhje të lira, demokratike dhe sipas standardeve europiane”, - u shpreh kreu i PS-së. “Një makineri e tërë shtetërore, jo vetëm njollosi imazhin e një vendi të lirë e demokratik, i cili aspiron të futet në Bashkimin Europian, por si një hajdut ordiner vodhi votat e shqiptarëve. Pikërisht pse është vjedhur vota, themeli i demokracisë së një populli e vendi demokratik, PS-ja ka marrë një vendim, i cili i kalon kufijtë partiakë dhe është një kambanë e fuqishme demokratike, e cila do t’i përcjellë të gjithë qytetarëve jehonën e një proteste të fuqishme dhe të pandashme”, - u shpreh ai. Në mitingun që do të zhvillohet, tha më tej Hodo, ne do t’i tregojmë Berishës dhe Metës se duam një demokraci të lirë ku të jetojmë të gjithë të barabartë, dhe jo gjithë pasuria kombëtare të shkojë në xhepat e çiftit Berisha- Meta. Ndërkohë, pritet që deputetë të PS-së dhe qytetarë nga rrethet e tjera të vendit t’i bashkohen, ashtu si në Tiranë, protestës së sotme në Berat.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›