E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini: “Asnjë vend i Ballkanit nuk duhet të mbetet jashtë BE-së”



Eljona Ballhysa
“Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk do të mbetet jashtë Bashkimit Europian”. Kështu është shprehur dje ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Franko Fratini, gjatë fjalës së mbajtur në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NEQ, që zhvilloi punimet në Bukuresht. Gjatë pjesëmarrjes në këtë aktivitet, ministri i Jashtëm i Italisë, Fratini, është takuar me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ilir Meta. Gjatë këtij takimi Fratini ka shprehur bindjen se liberalizimi i vizave për Shqipërinë do të bëhet realitet gjatës verës së vitit të ardhshëm. Ndërsa ministri Meta ka shprehur edhe njëherë angazhimin e qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin për të arritur jo vetëm liberalizimin sa më të shpejtë të vizave, por edhe për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. “Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk duhet të mbetet jashtë Bashkimit Europian dhe integrimi i gjithë Ballkanit Perëndimor duhet të jetë prioritet”, - ka thënë ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini. Ndërsa ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Balash, gjatë fjalës së mbajtur në takim u shpreh se synim kryesor i Nismës së Europës Qendrore duhet të jetë integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Edhe shefi i Diplomacisë së Rumanisë, Katalin Predoju, ka mbështetur integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pjesëmarrja
I pranishëm në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Nismës së Europës Qendrore, që u mbajt në Bukuresht, ishte edhe ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Ilir Meta. Ky ministerial mbahet në përfundim të presidencës rumune të kësaj nisme, nën moton “Mbështetje për të ardhmen e përbashkët europiane, duke u përballur me sfidat aktuale”. Punimet e këtij ministeriali përkojnë me 20-vjetorin e krijimit të NEQ-it, ndaj dhe ministrat e Jashtëm, në ndërhyrjet e tyre, u ndalën në arritjet e shënuara gjatë këtyre dy dekadave, veçanërisht në kuadër të integrimit europian të vendeve anëtare. Në fjalën e tij në këtë takim, ministri i Jashtëm Meta evidentoi dinamikën e bashkëpunimit në kuadër të NEQ-it, duke veçuar rëndësinë e përafrimit të vendeve të Nismës që ende nuk janë anëtarë të BE-së, me strukturat e Bashkimit Europian. Në këtë kuadër ai u ndal në progresin e realizuar nga Shqipëria në procesin e integrimit në BE, duke e vënë theksin në arritjen e standardeve të kërkuara, përfshirë këtu edhe kërkesat e përmbushura për liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Europian. Gjithashtu ai vuri në dukje se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO ishte një ngjarje shumë e rëndësishme jo vetëm për këto vende, por edhe për mbarë rajonin. Përsa u takon zhvillimeve në rajon, Meta vlerësoi pavarësinë e Kosovës si një zhvillim të rëndësishëm për stabilitetin rajonal. Në këtë kuadër ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në proceset e integrimit në institucionet europiane dhe euroatlantike, si dhe në mekanizmat e bashkëpunimit rajonal.
Nisma
Nisma e Europës Qendrore bashkon vendet dhe institucionet e tyre në frymën e një bashkëpunimi rajonal pragmatik dhe fleksibël. Ideja për këtë bashkëpunim shumëpalësh mori formën e saj zyrtare në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Italisë, Austrisë, ish-Jugosllavisë e Hungarisë, në Budapest, më 11 nëntor 1989.
Nisma e Europës Qendrore aktualisht ka 18 vende anëtare: Shqipëria, Austria, Bjellorusia, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Çekia, FYR Maqedonia, Mali i Zi, Moldavia, Hungaria, Italia, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Ukraina (9 vende anëtare të BE-së dhe 9 vende joanëtare). Objektivi i Nismës është thellimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit në fushën politike, ekonomike e më gjerë, duke kontribuar në këtë mënyrë në sigurimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë ndërmjet tyre. Ajo ka synuar të lehtësojë procesin e tranzicionit në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, të lehtësojë integrimin e ekonomive të tyre në Europë dhe anëtarësimin e gjithë vendeve anëtare në Bashkimin Europian.

BE-ja i ndez dritën jeshile Shqipërisë për statusin e vendit kandidat

Vendet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për të diskutuar kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Ambasadorët e 27 vendeve të BE-së vendosën gjatë takimit në Bruksel t’i paraqesin Komisionit Europian kërkesën për të nisur shqyrtimin për statusin e Shqipërisë. Vendimi për të përfshirë në axhendën e diskutimeve këtë çështje pritet të merret në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së, që do të mbahet në datat 16 dhe 17 nëntor. Shqipëria ka aplikuar për statusin e vendit kandidat prillin e vitit të kaluar. Nëse ministrat e BE-së vendosin të nisin bisedimet për anëtarësimin, Shqipëria bëhet vend zyrtar kandidat për anëtarësimin në BE.

“Shqipëria gëzon përkrahje për liberalizimin e shpejtë të vizave”

Ministria e Punëve të Jashtme ka përshëndetur dje vendimin e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave për tri shtete ballkanike; Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë.
“Propozimi për përfshirjen e menjëhershme të Shqipërisë në aneksin e dytë të vendeve të cilave nuk u nevojitet vizë për në BE, sapo ajo të përmbushë detyrimet e mbetura, dëshmon për përkrahjen e gjerë dhe të fuqishme që gëzon vendi ynë për të realizuar lëvizjen pa viza të qytetarëve dhe për të avancuar bindshëm në rrugëtimin tonë europian pa vonesa”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ralf Gjoni. Sipas tij, në deklaratën e përbashkët theksohet qartë vullneti politik brenda institucioneve të Bashkimit Europian për një trajtim urgjent të çështjes së vizave për Shqipërinë, pasi Komisioni Europian të ketë vlerësuar pozitivisht përmbushjen e të gjitha kritereve të Udhërrëfyesit.
“Qeveria shqiptare i siguron të gjithë partnerët tanë europianë se ne do të përmbyllim me sukses dhe pa humbur kohë të gjitha detyrimet e mbetura në këtë proces dhe se angazhimi ynë do të vazhdojë të jetë po kaq intensiv në çdo etapë të marrëdhënies tonë me Bashkimin Europian. Ministria e Punëve të Jashtme, duke vlerësuar përkrahjen e plotë të të gjitha institucioneve të Bashkimit Europian, është e vendosur në realizimin e hapave të mbetur dhe shpreh bindjen se lëvizja pa viza e qytetarëve shqiptarë në hapësirën ‘Shengen’ do të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur, brenda vitit 2010”, - vijon deklarata.

13 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›