Formule e re e pagesave te siguracionit per automjetet

Aplikimi i patentës me pikë do të jetë hapi i parë i një projekti që do të reformojë edhe formulën e siguracioneve për makinat. Të gjitha personat që janë problematik në timon do të paguajnë një siguracion të detyrueshëm më të lartë se sa ata që nuk kanë asnjë regjistrim në raportet e Policisë Rrugore për shkaqe aksidentesh. Mbi këtë projekt po punohet mes Agjencisë së Mbikqyrjes Financiare dhe Bankës Botërore për të gjetur një formulë të re të funksionimit të një sistemi të tillë, i cili do të funksionojë drejtpërdrejtë në bazë të të dhënave që kanë Drejtoritë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor. Sipas drejtuesve të kësaj drejtorie në këtë sistem pagese do të futen elementë të ekonomisë së tregut, duke përdorur parimin “Nëse dikush është me risk do ta paguaj më shtrenjtë shërbimin”. Për ta shpjeguar më hollësisht; si fillim do të përdoret patenta me pikë, që do të thotë se cdo shofer do të ketë në llogari të tij një sasi pikësh të caktuara, të cilat do t’i zbriten më pas në raste aksidentesh apo shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërkohë që pas kësaj faze të parë do të ketë edhe një fazë të dytë ku në varësi të pikëve do të bëhet edhe pagesa e siguracionit. Kështu në rast se një shofer bën aksident do të paguaj më shtrenjtë pasi konsiderohet një person me risk, ndërsa nëse një shofer i cili për shumë kohë nuk ka bërë as edhe një gërvishtje të makinës duhet të paguaj një siguracion më të ulët. Pra drejtoria në bashkëpunim edhe me shoqëritë e sigurimit, mbi bazën e të dhënave të marra nga sistemi do të nxjerrin koeficientin e rrezikut në varësi të pikëve që shoferit i kanë mbetur në patentë. Por agjencitë do t’i referohen edhe treguesve të tjerë për të llogaritur këtë koeficentë, sic është kohëzgjatja e përdorimit të automjetit nga shoferi, apo rrethi ku është rregjistruar. Kjo do të thotë se nëse një makinë është regjistruar në Tiranë ka më shumë mundësi për aksident për shkak të fluksit të madh të automjeteve. Qëllimi kryesor i kësaj forme të re të pagesave të siguracionit lidhet kryesisht me ndërgjegjësimin e përdoruesve të automjetit, uljes së numrit të aksidenteve si dhe reduktimit të kostove për kompanitë e sigurimeve.