Varfëria çon në vetëvrasje nënën shqiptare në Itali, hidhet nga ballkoni
Itali- Një viktimë e krizës. Piu dy litra verë për të gjetur forcën për të kryer një çmenduri. I ka dhënë një puthje të fundit dalit të saj, është ngjitur mbi kangjellat e ballkonit dhe është lëshuar në zbrazëtirë…
Një e re shqiptare, 28 vjeç me banim në Itali ka humbur jetën pak para mesnatës të së enjtes duke u hedhur nga kati i tretë i ndërtesës ku jetonte me familjen e saj në San Lazzaro 13.
Hajrie Rajku, siç raportojnë mediat italiane, nuk ka lënë asgjë të shkruar por në origjinë të gjestit ekstrem, siç shpjegon bashkëshorti Dashan dhe personat e afërt, janë vështirësitë e mëdha ekonomike në të cilat jetonte familja shqiptare. As ajo dhe ai i shoqi nuk punonin prej një viti, jetonin me një qira të ulët dhe ndihmoheshin nga shërbimet sociale.
‘Nuk mundem më’,-mësohet se i kishte rrëfyer bashkëshortit të ri disa orë më parë. Kur ndodhi tragjedia gruaja ka qënë vetëm në shtëpi me një fëmijë vetëm 8-muajsh. Burri i gjendur diku pranë banesës ka dëgjuar fëmijën duke qarë vetëm kur ka parë të shoqen në asfalt e i tmerruar ka dhënë menjëherë alarmin.
Por nëna e re nuk mundi të jetonte pavarësisht se ambulancat arritën menjëherë. Sakaq mësohet se 38-vjeçari është shoqëruar në spital nga ku vijon tronditur prej shokut. Edhe fëmija është dërguar në pediatrinë San Bartolo derisa i ati të marrë veten dhe të njoftojë familjen në Shqipëri.
‘Dua ta varros time shoqe ku ka lindur, por s’kam para për ta bërë këtë’-, ka rrëfyer ai. Ndërkohë policia italiane ka nisur një hetim të plotë mbi ngjarjen e rëndë që i mori jetën nënës shqiptare që nuk arriti të shihte një dritë për daljen nga kriza në fund të tunelit, siç e kishte parë kohët e fundit kryeministri Monti.
Dorina Bilbili/IDEA/