Problemet psikike, hidhet nga dritarja e qendrës sociale
TIRANE Një grua 57-vjeçare, e cila prej vitesh vuante nga probleme të theksuara psikike, i ka dhënë fund jetës në orët e para të mëngjesit të djeshëm duke u hedhur nga dritarja. Ngjarja ndodhi në ambientet e një qendre sociale bamirësie, e themeluar nga Motrat e Nënë Terezës, pranë Rrugës së Kavajës në Tiranë. Burime nga Policia thanë se viktima është Engjëllushe Adberi, 57 vjeçe, e divorcuar prej disa vitesh. Që pas divorcit nga bashkëshorti, Engjëllushja kishte filluar të kishte probleme me depresionin, i cili më pas ishte bërë edhe më i theksuar, duke e detyruar që fillimisht të kurohej në Qendrën Spitalore Nënë Tereza. Më pas, duke mos pasur se ku të jetonte, gruaja ishte marrë në kujdestari në qendrën e bamirësisë së Motrave të Nënë Terezës, ku edhe i ka dhënë fund jetës mëngjesin e djeshëm.