E Diel, 1 Nëntor 2026

“Fort Diks”, shqiptari i infiltruar: “Kërkuan të më bënin xhihadist”

Besnik Bakalli dëshmon për grupin e shqiptarëve që planifikuan sulmet. Miqtë e tij shqiptarë e ftuan për t’u bërë pjesë e “Xhihadit” islamik

Dëshmia më e rëndësishme e procesit “Fort Diks” (ku katër shqiptarë nga Maqedonia së bashku me dy shtetas të huaj akuzohen për sulme terroriste ndaj bazës amerikane) zgjati dje pesë orë. Besnik Bakalli, i infiltruari i FBI-së në grupin e terroristëve të dyshuar, dëshmoi dje në detaje eksperiencën e tij me grupin e shqiptarëve duke konfirmuar atë që hetuesit prisnin prej tij: tregoi se grupi ishte frymëzuar nga rryma “xhihadiste”. Gjatë dëshmisë, që zgjati 5 orë, para gjykatës janë treguar edhe përgjimet e realizuara me ndihmën e bashkëpunëtorit të FBI-së. Informatori pohoi se tre vëllezërit Duka përbënin rrezik për Amerikën edhe pse plani për sulmin në bazën “Fort Diks” dështoi pikërisht prej faktit sepse autoritetet ligjzbatuese u njohën në kohë me synimet e tyre. Besnik Bakalli ishte dërguar të hynte në kontakt me të dyshuarit dhe ai tregon se kjo ishte shumë e lehtë për të. “Unë shkova në një kafene dhe nisa të flisja me zë të lartë që të tërhiqja vëmendjen. Më pas ishte pjesa më e vështirë, pasi ata nisën të më flisnin për të më rekrutuar për në Xhihad. Mbanin video me ushtarë amerikanë që vriteshin dhe qeshnin me to”, - rrëfen Bakalli. Informatori ishte në burg para se të punonte si agjent i FBI-së. Ndërsa dje ai kërkoi shpërblimin për punën e kryer, që ishte një leje për të jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të akuzuarit
Dëshmia e Bakallit konsiderohet si tejet e rëndësishme, pasi ai i ka shoqëruar të dyshuarit për një kohë relativisht të gjatë. Katër prej të arrestuarve kanë lindur në ish-Jugosllavi, njëri në Jordani dhe njëri në Turqi. Të gjithë jetonin prej vitesh në Shtetet e Bashkuara. Tre prej tyre jetonin ilegalisht në Shtetet e Bashkuara, dy kishin leje pune, kurse vetëm njëri prej tyre ishte qytetar amerikan. Të arrestuarit, të identifikuar nga letrat e gjyqit me emrat Muhamar Ibrahim Shnefer, Dritan Duka, Elvir Duka, Shain Duka, Serdar Tatar dhe Agron Abdullahu, pasi janë arrestuar një vit më parë, janë “filtruar” me të dhënat që zyra e emigracionit kishte për ta. Duke u ballafaquar me dokumentet e zyrës së emigracionit dhe natyralizimit del se Dritan Duka, Elvir Duka dhe Shain Duka jetonin ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pesë prej të arrestuarve jetonin në Çeri Hill të Filadelfias, rreth 20 milje (30 km) larg nga baza “Fort Diks”. Sipas autoriteteve amerikane, ata kishin planifikuar ta goditnin në këtë bazë dhe dëshironin të vrisnin sa më shumë ushtarë që të ishte e mundur. “Fort Diks” është një bazë që përdoret për trajnimin e rezervistëve. Kjo bazë gjithashtu është përdorur për të strehuar refugjatët nga Kosova në vitin 1999. Baza tani ndodhet në gjendje gatishmërie të lartë.
Hetimi
FBI-ja i ka nisur hetimet në fillim të vitit 2006, pasi dikush kishte çuar në një dyqan videosh disa filmime për t’i hedhur në format DVD. Në video dukeshin 10 burra, përfshirë këtu edhe gjashtë të arrestuarit, të cilët stërviteshin me armë dhe bënin thirrje për Luftë të Shenjtë (Xhihad). Ajo që ishte shqetësuese për hetuesit amerikanë lidhej me faktin se me fillimin e përgjimit gjatë stërvitjes së tyre me armë nëpër pyll ata diskutonin se si të vrisnin një numër sa më të madh ushtarësh. Asokohe kongresmeni republikan i Nju Xhersit tregoi për prokurorin e Shtetit se njëri prej të dyshuarve punonte si shpërndarës picash në bazën ushtarake të Fort Diksit. “Ai shpërndante pica për ushtarët në bazë dhe kjo i kishte dhënë atij mundësinë të njihte terrenin, hyrje-daljet dhe cilat ishin aktivitetet që kryheshin aty. Që në fillim të vitit 2006 filloi vëzhgimi i tyre. Ky grup ishte në vëzhgim prej 16 muajsh dhe janë dokumentuar kur ata praktikonin goditjen në malet Pokono, në verilindje të Pensilvanisë.

BOX
Në tetor nisi gjyqi ndaj shqiptarëve të arrestuar

Në fillim të muajit tetor 2008 në Nju Xhersi u zhvillua seanca e parë gjyqësore ndaj gjashtë personave, mes të cilëve katër shqiptarë nga Maqedonia, të cilët në vitin 2007 planifikonin të kryenin sulme në bazën amerikane “Fort Diks”. Në gjyq u paraqitën gjashtë të arrestuarit, mes të cilëve shqiptarët Dritan Duka, 28 vjeç; Shain Duka, 26 vjeç; Elvid Duka, 23 vjeç, të tre këta vëllezër që jetonin në Shtetet e Bashkuara, si dhe dy shtetas të huaj, të cilët dyshohen si bashkëpunëtorë të tyre. I arrestuar ka qenë dhe shqiptari tjetër, Agron Abdullahu. Ata janë akuzuar për “vrasje në tentativë të ushtarëve amerikanë të Fort Diksit, akuzë kjo që mund t’i çojë deri në burgim të përjetshëm. Juria që do të japë vendimin përbëhet nga 11 veta, tetë prej të cilëve janë femra. Arrestimi i tyre u bë pasi në bazë të disa provave dhe xhirimeve në videokaseta DVD u zbulua se ishin duke përgatitur një sulm të armatosur kundër bazës ushtarake “Fort Dix” në Nju Xhersi, ku stërviten ushtarët që nisen për në Irak. Aktpadia prej 27 faqesh, e paraqitur në Gjykatën Federale të qytetit Camden të Nju Xhersit, përshkruan aktivitetin e këtyre personave në përpjekje për të vrarë qindra ushtarë amerikanë rezervistë në bazën “Fort Diks” para se ata të niseshin për në Afganistan e Irak. Autoritetet amerikane pohojnë se kundër të gjithë të dyshuarve kanë dëshmi të forta se një periudhë të gjatë kanë përgatitur sulme mbi kompleksin ushtarak “Fort Diks”, si dhe mbi bazën e afërt detare.

3 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›