Fortesat e Evropës në Afrikë

Ata që paguajnë, mund të fluturojnë me helikopterë. Enklava Ceuta gjendet rreth 20 kilometra larg këndit jugor të territorit spanjoll. Rruga deri aty shpie kah Mesdheu. Sikur edhe qyteti Melilla, edhe Ceuta është ndërtuar para disa shekujve në Marok. Kemi të bëjmë me dy porta hyrëse të Evropë në Afrikë, ishuj që kanë mbetur trashëgimi nga koha e kolonializmit dhe ishuj të siguruar mirë.
Telas gjemborë, me lartësi prej gjashtë metrave, të vendosur në tri radhë, mbrojnë këto enklava spanjolle.
Skenat e para gjashtë viteve nuk duhet të përsëriten më: në gjashtë muajt e parë të vitit 2005, mbi 11 mijë afrikanë tentuan të kalojnë telat. Ata nuk kishin para për helikopterë, shumica prej tyre me gjasë kurrë nuk kanë qenë në Spanjë. Por Spanja, e kjo nënkuptonte Evropen, kontinent që premtonte një jetë më të mirë.
Natën ata ju vërsuleshin telave, vendosnin shkallët, nxitëshin lartë, shqyenin lëkurën. Natë për natë përsëritej ky spektakël pikëllues, pamjet dhe xhirimet qarkulluan në gfjithë botën. Ata që arrinin të kalonin në territorin e Spanjës, ata ishin fitimtarë. Shumica prej tyre sërish u kthyen në territorin e Marokut, disa prej tyre humbën jetën në tela. Së paku 14 persona vdiqën-pas të shtënave të rojeve marokene dhe spanjolle apo për shkak të lëndimeve që kishin pësuar.
Spanja shpenzoi 30 milionë euro për të forcuar kufirin, lartësia e telave gjemborë u ngrit nga tri, në gjashtë metra. Kritikët në Spanjë folën për “Murin e turpit”. Prej kohës kur këto dy qytete janë izoluar edhe më shumë, refugjatët kanë filluar të përdorin anijet, në përpjekje për të kaluar Mesdheun. Fillimisht shfrytëzuan shtegun në drejtim të Ishujve Kanare, por edhe aty u forcuan patrullimet, sot ata zbarkojnë para se gjithash në Itali dhe Maltë.
Banorët e Ceutas dhe Melillas tani jetojnë në fortesa. Prapa telave jetojnë 75 mijë njerëz, ushqehen me peshk, pemë dhe perime nga Maroku, të cilat shiten nëpër tregje.
Megjithatë, vitin e kaluar tregjet mbetën të zbrazëta. Marokienët bojkotuan enklavat, pasi që akuzuan për racizëm rojën kufitare të Spanjës.
Protestat me gjasë ishin të orkestruara dhe as sot e asaj dite nuk është e qarte se kush ishte përgjegjës për eskalimin e situatës. A deshi ta detyroi Maroko Spanjën që këto dy shtete së bashku të kundërshtojnë aspiratat për pavarësi të Saharës Perëndimore? A ishte mbreti i Marokut i hidhëruar, për shkak se helikopterët ushtarak të Spanjës kishin fluturuar mbi anijen e tij luksoze.
Pas disa telefonatave të bëra mes mbretërve-mbreti i Spanjës, Juan Carlos, tentoi të qetësojë mbretin e Marokut-marrëdhëniet mes dy vendeve u përmirësuan sërish.
Por Maroko me gjasë edhe në të ardhmen do të kërkojë në vazhdimësi kthimin e sovranitetit të vet në Cueta dhe Melilla.
Cueta ka qenë qytet i kontestuar qysh në shekullin e 15-të, kur portugezët dhe spanjollët tentuan të vënë nën kontrollin e tyre këtë qendër të preferuar tregtare.
Atëbotë, njerëzit nxjerrin ari nga lumi dhe e grumbullonin atë në formë të pirgjeve. Sot nuk ka pirgje të arit, por ka vetëm pirgje të rojtarëve spanjollë.