E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonasit do jenë popull pakicë

Nga Express më 14 gusht 2011 në ora 11:46

Problemet demografike në Maqedoni priten të jenë prioritet i politikave të Qeverisë së Maqedonisë.

Maqedonasit janë tejet të brengosur me numrin e vogël të lindjeve si dhe rrezikun që për një periudhë jo të gjatë kohore, të mbeten popull pakicë në shtetin e tyre.

Nga të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës në Maqedoni kuptojmë se gjatë vitit 2010, kanë lindur 12.535 fëmijë nga baballarë maqedonas, kurse kanë vdekur gjithsejtë 14.298 maqedonas.

Pas barazimit lindjeve dhe vdekjeve, del se numri i maqedonasve etnikë zvogëlohet për 1.763 veta.

Ndërkaq e kundërta ka ndodhur tek shqiptarët, në po të njëjtin vit, kanë lindur 7.200 fëmijë nga baballarë shqiptarë, dhe kanë vdekur 3.073 shqiptarë, që do të thotë se janë shtuar për 4.127.

Akademia e Artit dhe Shkencave të Maqedonisë është shumë e brengosur me zhvillimet e fundit të proceseve demografike në Maqedoni.

Si elemente problematike që ndikojnë në demografinë e Maqedonisë potencohet fakti për numrin e vogël të lindjeve të grave nga nacionaliteti maqedonas, ndërkohë që gratë shqiptare lindin shumë më tepër fëmijë.

Akademikët maqedonas vazhdojnë të kërkojnë nga qeveria e Maqedonisë përpilimin e politikave demografike, të cilat do të parandalojnë natalitetin tek shqiptarët.

Analistët shqiptarë theksojnë se rritja e nataliteti tek shqiptarët në Maqedoni është pasojë e shumë faktorëve nga e kaluara, si standardi i ulët i jetesës, papunësia, arsimimi, profesioni, tradita etj.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›