Obama, Cameron dhe Abdullah i drejtojnë apel Sirisë
SHBA, Britania e Madhe dhe Arabia Saudite i kanë kërkuar së bashku presidentit sirian, Bashar al-Assad, që të ndalojë menjëherë dhunën në vend.
Shtëpia e Bardhë në Washington bëri të ditur se presidenti amerikan, Barack Obama, ka folur në telefon me kryeministrin britanik, David Cameron, dhe me mbretin e Arabisë Saudite, Abdullah, ku ka rënë dakord për trajtimin e mëtejshëm të udhëheqjes siriane.
Për shtypjen me gjak të protestave ekziston një "shqetësim i madh".
Ushtria sirianë është duke luftuar me brutalitet kundër demonstruesve, kritikë të regjimit.
Të paktën 1700 civilë dhe rreth 400 forca të sigurisë kanë humbur deri me tani jetën.
Në ndërkohë, forcat siriane të sigurisë vërshuan në qytetin bregdetar Latakia dhe qytete të tjera, pranë kufirit me Libanin.
Aktivistët dhe dëshmitarët thanë se tanket hyjnë në Lakatia, një ditë pasi mijëra protestues anti-qeveritarë u mblodhën në qytet.
Organizata siriane për të Drejtat e Njeriut tha se të paktën një person u vra nga të shtënat në disa lagje të qytetit.
Qeveria e presidentit Bashar al-Assad po e zgjeron shtypjen e disidentëve në rajonin Kusair.