E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karateistja Iseni : Medalja në Talin, sukses historik i të gjithëve

RESHAT IBRAHIMI
Shkup, 7 maj - Karateistja e vetme shqiptare në kategorinë e seniorëve, Ardita Iseni (-60 kg) pas kthimit me medalje të bronztë nga Kampionati i 43-të Evropian për seniorë, është shprehur shumë e gëzuar, që pas 13 viteve karrierë fiton një medalje kaq të vlefshme. Për Maqedoninë kjo është medalja e parë për femra pas 40 viteve. Ardita Iseni është karateiste e KK Teuta nga Kumanova, kurse deri më tani disa herë ka qenë kampione e Maqedonisë, dhe fituese e shumë turneve të rëndësishëm ndërkombëtarë. LAJM: Si ndjehesh pas kthimit me medalje të bronztë nga Kampionati Evropian i Karatesë? Iseni: Sigurisht se ndjehem shumë e lumtur që kam arritur deri në këtë nivel për të qenë karateistja e tretë më e mirë në Evropë. Se mund të arrij këtë nivel kam treguar që në vitin 2004, kur me luftërat e mia arrita të jem në mesin e 10 karateisteve më të mira në Evropë dhe Botë. E ndjeja se një ditë do të sjell një medalje. Është sukses historik për mua, për familjen dhe për të gjithë ata që më kanë mbështetur deri më tani. LAJM: Para se të udhëtoni, kishit një lëndim në hundë. S'i ndodhi lëndimi dhe sa ju pengoi në garat e mbajtura në Talin të Estonisë? Iseni: Katër ditë pasi kishim filluar stërvitjet me reprezentacionin gjatë një meci njëri prej sparinguesve të mi, pa dashje më goditi në hundë dhe për këtë arsye mungova deri në përfundimin e stërvitjeve me reprezentacionin. Por unë isha e vendosur që edhe përkundër këtij lëndimi të marr pjesë në këtë kampionat. Nëse nuk do të kisha pasur lëndim, shpresoj se do të arrija medalje të artë. LAJM: Cila ishte rruga jote deri në fitimin e medaljes së bronztë? Iseni: Në xhiron e parë kam mposhtur E.Lhommeau nga Franca me rezultat 3:0, pastaj K. Bobkova nga Cekia me rezultat 4:1, në xhiron e tretë humba nga spanjollja C.Vicente, e cila më vonë u shpall kampione e Evropës. Në ndeshjet direkte eliminuese kam fituar S.Steland nga Luksemburgu (2:0) dhe në ndeshjen për medaljen e bronztë e fitova gjermanen S. Sperner me rezultat 4:3. LAJM: Përkundër kësaj medalje, a planifikoni të vazhdoni me luftëra tjera? Iseni: Fajtor për kthimin tim në karate është edhe bashkëshorti im. Ai më përkrahë maksimalisht dhe vendosi që unë të vazhdoj me karatenë. Sigurisht se do edhe unë do të vazhdoj pa asnjë hezitim. Tani më pret kampionati Botëror në Tokio, ku shpresoj se edhe prej atje do të sjell medalje. Ardita fiton nga 500 euro në muaj për 4 vite Sipas Ligjit për sport, cdo fitore nga vendi i parë deri në të pestin në gara evropiane, botërore etj., shpërblehet me bursë katërvjecare që përfshin një shumë të hollash prej 500 eurove në muaj, si dhe pagesë e sigurimit pensional dhe invalidor. Në konferencën për media, seleksionuesi i Maqedonisë në Kumite-luftëra, Boshko Zaborski ka njoftuar se kjo shumë e parave do t'i takojë edhe Ardita Isenit. Gjithashtu ditën e premte pritet që Agjencioni për Rini dhe Sport (ARS), Arditës t'i ndajë një shpërblim prej 100 mijë denarëve ose rreth 1600 euro. Mund t'i mbrojë ngjyrat e Kanadasë Ardita Iseni ka paralajmëruar se në të ardhmen mund t'i mbrojë ngjyrat e reprezentacionit të Kanadasë. "Nëse nuk mi plotësojnë disa nga kushtet elementare për stërvitje ose të nevojshme për një karateiste, atëherë do të mbroj ngjyrat e Kanadasë. Unë vazhdoj të stërvitem në stadium, kurse disa të tjerë nëpër palestra sportive dhe nuk kanë bërë asnjë rezultat. Nuk kam partnerë për sparing dhe plot nevoja të tjera", tha Iseni. Seleksionuesit lavdërojnë Arditën Dy seleksionuesit e reprezentacionit të karatesë së Maqedonisë Zhivko Tasevski dhe Boshko Zaborski kanë shprehur fjalë miradije për fitoren e madhe të Ardita Isenit në Kampionatin Evropian. "Edhe përkundër lëndimit, Ardita me vendosmërinë e vet ia arriti qëllimit që të fitojë medalje të bronztë. Nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi edhe shorti nuk ka qenë shumë i volitshëm për të. Megjithatë, ajo duke përdorur taktikën vet, arriti të fitojë pikë mjaft të rëndësishme në të gjitha duelet", tha Zaborski.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›