E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fortuzi në ndihmë të Bulkut

23/04/2005  Mesfushori i Partizanit, Sokol Bulku, ka udhëtuar dje në drejtim të Greqisë, ku do të kryejë rezonancën magnetike, si dhe operacionin në menisk, pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, të mërkurën në “Qemal Stafa”. Kujtojmë se mesfushori i Partizanit ka patur një kontakt me sulmuesin e Teutës, Bledar Mancaku, në fillim të ndeshjes dhe ka dalë me barrelë nga fusha e lojës. Pas ndeshjes, nga mjeku i Partizanit, Pertef Rusi, mësuam se bëhej fjalë për një dëmtim të rëndë në gju, më saktë një këputje e ligamenteve të gjurit. Gjithsesi, mjeku Rusi ka theksuar se për të qenë më konkretë për shkallën e dëmtimit të tij, duhej të priteshin edhe rezultatet e rezonancës magnetike. Kështu, ajo pritej të zhvillohej të hënën në klinikën e skuadrës së Partizanit, por pikërisht dje, mesfushori shtatshkurtër i Partizanit, Sokol Bulku, ka udhëtuar në drejtim të vendit fqinj, për të kryer rezonancën. Sipas konfirmimeve që vijnë nga mjeku i Partizanit, Rusi, Sokol Bulku është ndihmuar shumë edhe nga miku i tij, Indrit Fortuzi, i cili aktivizohet në kampionatin helen, me Iraklisin. Ka qenë një ndërhyrje e tij te stafi mjekësor i Iraklisit, që Bulku të kryejë rezonancën magnetike dhe ndërhyrjen kirurgjikale në Greqi, një gjest ky, i ish-sulmuesit të Tiranës, Indrit Fortuzi, që është për t’u vlerësuar. Për sa i takon rezonancës magnetike, ajo duhet të jetë kryer mbrëmë në një spital të Selanikut. Nga vizita e parë mjekësore, është konfirmuar këputja e ligamenteve të gjurit. Ndërkohë, që ndërhyrja kirurgjikale pritet të kryhet në javën e ardhshme. Gjithsesi, siç ka bërë të ditur mjeku i Partizanit, Rusi, mesfushorit do t’i duhet një kohë e gjatë për t’u rikthyer në fushë. Dhe, kjo kohë llogaritet nga 6 muaj deri në një vit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›