E Hënë, 2 Nëntor 2026

“I kufizuar unë, apo shoqëria?”

23/04/2005  “Është hera e parë që, mes sa e sa konkurrentëve të shumtë, m’u dha e drejta për punësim. I falem Zotit si dhe aftësive të mia që fitova. Sepse jam një ndër personat me aftësi të kufizuar. Vështirësia rritet disa fish. Jemi një shoqëri patriakale. Ne sot jemi më të diskriminuarit, veçanërisht për punësim”. Kështu nis njohjen e parë Ndrekë Ismaili, një person me mjaft ambicie, dhe që sot është i punësuar.

Nuk është i panjohur ky fakt për opinionin, sepse mjaft persona me aftësi të kufizuar, duke qenë pjesa më e varfër e shoqërisë, ku shteti nuk është në gjendje të mbrojë siç duhet, e ndjejnë se të kesh një punë është një Pasaportë Qytetarie. Kjo është një nga aspiratat e tyre kryesore. Të qenët i paguar, është treguesi më i qartë që kontributi i tyre është i vlefshëm. Dhe punësimi është elementi bazë i jetës personale, i të qenit i pavarur, me gjithë hallet e shumta që i ka mbërthyer jeta këta njerëz. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe kudo në botë, personat me aftësi të kufizuar gjenden në një standard më të ulët jetese se të tjerët: aq më tepër që shpeshherë ata jetojnë të izoluar dhe të veçuar. Përfshirë këtu edhe atë fakt se ata përjetojnë diskriminimin në të gjitha fushat e jetës, duke përfshirë mbi të gjitha transportin dhe strehimin. Sot vetëm në Tiranë sheh rrugë dhe trotuare të shkallmuara, qarkullim automobilistik kaotik, mungesa e rampave dhe ashensorëve në ndërtesat me shumë kate, autobusë të papërshtatshëm, numër i kufizuar i karrigeve lëvizëse apo i mjeteve ndihmëse për ecje etj. Të gjitha këto ndikojnë në ecjen e qarkullimin e lirë të këtyre personave. Ata jetojnë vetminë e përhershme. Gjithashtu, ata i përkasin shtresës më pak të arsimuar, jetojnë nën nivelin zyrtar të varfërisë etj.

Kjo janë disa nga vështirësitë e jetës së tyre. Por si qëndron puna me punësimin e tyre. Në morinë e ligjeve të shumta, ekziston edhe një ligj Nr.7995, që ka si objekt punësimin e këtyre qytetarëve. Aty midis të tjerash thuhet se punëdhënësi duhet që në çdo 24 punonjës të punësojë një invalid të punës. Aty përcaktohen qartë politikat e riaftësimit profesional të këtyre personave, si dhe detyrimet e punëdhënësve. Problemi qëndron gjetkë: sa gjen zbatim ai në realitetin shqiptar.

Sot në vendin tonë janë mbi 90000 invalidë të punës, kryesisht të pjesshëm, që e lexuar ndryshe do të thotë se në bazë të raportit të tyre mjekësorë duhet të jenë në marrëdhënie pune, të përshtatshme sipas aftësive specifike. Por, vetëm 180 prej tyre janë të punësur. Kjo do thënë se në të shumtën e rasteve është arritur edhe nëpërmjet qëndrimit të gjykatës ndaj punëdhënësve të ndryshëm, që nuk duan të dëgjojnë nga ai vesh. “Edhe ne kemi qenë të shëndoshë si puna juaj, por koha ka bërë të sajën. Ne, që e kemi provuar në trupin tonë, urojmë që askush të mos e ketë një fat të tillë, jo për shëndetin, por për diskriminimin që na bëhet për punësim”, thotë Abdulla Omuri, kryetar i Shoqatës “Invalidët e Punës të Shqipërisë”.

Nuk mund të rri pa përmendur aventurën e rrallë të Qederim Hysenit, person me aftësi të kufizuar, që ka udhëtuar dy herë me karrocën e tij drejt Italisë, duke u zvarritur për një kilometër e gjysmë, fill pasi ka kapërxyer Otranton. Kjo vetëm për një jetë tjetër, për të shpëtuar nga ferri i pamundësisë për të jetuar. Ai është i aftë që mund të bëjë mrekullina… Por, shoqëria! S’ka veshë e sy për të vlerësuar e ndryshuar realitetin, për t’u dhënë pak shpresë për jetën këtyre personave, për përmirësimin e kushteve të jetesës, si dhe pak mundësi për ta ndjerë se janë të vlefshëm për shoqërinë, dhe mund të bëjnë çudira.

A është bërë ndonjëherë ndonjë vëzhgim për punësimin e këtyre personave? Apo vetë strukturat e shtetit bëjnë të heshturin e të paditurin për të mos zgjidhur problemet e shumta që mbartin me vete këta persona? Në çdo vend të bootës shteti funksionon për t’u shërbyer qytetarëve të vet, për të krijuar hapësira e mundësi të tilla që secili ta ndjejë veten të barazvlershëm. Të kujtoj këtu rastin e një ministreje gjermane për Mbrojtjen e Çështjeve Sociale që si person me aftësi të kufizuara, shëtiste me biçikletën e saj në zonën elektorale për të takur e bisedur me zgjedhësit e vet.

Është një klithmë e vërtetë dëshpërimi, ajo që na tha Ilir Kasa, person me aftësi të kufizuar: “Ik ore ti me atë karrocë se po kalojnë profesorët. Kërkoke edhe ti shkollë të lartë!” Mëshirë për këtë sekretare të Fakultetit të Shkencave Politike. Dhëntë Zoti pak paqe në këtë shpirt të trazuar për së prapthi! Dhe paqe kërkojnë vetëm ata që dinë e kanë kulturë. Më vjen në mendje thënia plot humor se “unë do t’i shkoj atij që është me karrocë, kur të më thyhet këmba ime”.

Të mos harrojmë se secili prej nesh ka aftësi të kufizuara, të dukshme, apo të padukshme. Në çdo dhjetë persona njeri është me aftësi të kufizuar. Dikush i mbart të fshehura, dikush i ka të lexueshme. Ka mjete të tilla, siç janë karrocat, kompjuterat e posaçëm, apo alfabetet që i ingranojnë këta persona në jetën e përditshme. Kërkohet pak kujdes e vëmendje nga shoqëria. Shurdhëria e saj tregon shkallën e ulët të emancipimit. Rasti më klasik, më i gjallë e më interesant është i ai i Hopkinsit, që i paralizuar ka arritur jo vetëm të ndërtojë familje, por të jetë ndër fizikanët më të mëdhenj të sotëm, si dhe ndër lektorët më të përzgjedhur nga universitet më në zë të botës.

Mjafton t’u hedhësh një sy kërkesave për punësim të botuara në shtypin e ditës. Aty do të gjesh gjithçka, edhe kjo kërkesë, edhe kjo, edhe…, pa mbarim, e logjika të çon se jo vetëm që duhet të jesh e bukur, por edhe të plotësosh disa gjëra që lexohen mes rreshtash. Kështu që shpresa për punësim e këtyre personave gjithnjë mbetet e vakët. Të gjitha dyert mbyllen për ta, duke përsëritur refrenin “ Për ju nuk kemi punë”!

Do të ishte gjysma e së keqes sikur të mos shtohej edhe një vështirësi tjetër. Zyrat e institucioneve janë zgjidhur në një mënyrë të tillë, që është krejt i pamundur kontakti me këta persona. “Unë s’mund të takohem me ata që duhet të më zgjidhin problemet mua - thotë Ndrek Ismaili - sepse zyrat e tyre janë në katin e pestë në Ministrinë e Punëve Sociale. Atje s’ke me se të ngjitesh, ashensor nuk ka, mjete të tjera të përshtatshme jo e jo, e kështu asnjë zgjidhje për hallet e shumta që ne kemi”. Thënë thjesht, ai zyrtar që nuk sheh, e nuk i prek, kuptohet që është i imunizuar në moszgjidhjen e çështjeve për këta persona. Se, edhe kur bëhen takime, apo konferenca, titullarët, apo personat e veshur me pushtet, jo vetëm që nuk marrin pjesë, por nuk dërgojnë as edhe një të deleguar që të dijë të japë përgjigje për malin me probleme që ata kanë. Atëherë sa dhe si do të jetë i ndjeshëm ky zyrtar?

Këto e shumë të tjera mbushin ditën e këtyre personave me aftësi të kufizuar. Ata me heshtjen e tyre presin se një ditë kjo shoqëri do të fitojë pak civilizim, do të kulturohet për të pritur denjësisht këta persona, që gjithnjë janë të pranishëm në shoqëri. Me shpresë!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›