E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mëdyshjet e Një Slogani

23/04/2005  Motoja e fushatës së Partisë Socialiste është “Mbro të Ardhmen”, me nëntitullin ‘duke marrë pjesë në qeverisje’. Si e tillë, ajo duket se i drejtohet së pari ministrave socialist, duke përcjellë në mënyrë mjaft të qartë dhe kompakte frikën e tyre ndaj një rotacioni të mundshëm politik. Në thelb të kësaj parulle, që duket se flet për të ardhmen, është frika e së tashmes, frika se mos humben ato biznese dhe investime të bëra gjatë kohës në pushtet, frika nga një sërë aferash të dyshimta që mund të prodhojnë ndëshkim nesër, kur pushteti nuk ofron më mbrojtje. Pra ‘Mbro të Ardhmen’ është një kushtrim sa mjeran për një fushatë elektorale aq edhe i sinqertë në ankthin që transmeton përballë frikës së rotacionit politik, që duke u përpjekur ta largojë në fakt e ndjell më shumë.

Një moto e tillë mbështjell në fjalë të reja një mesazh tashmë pothuajse tetëvjeçar; kujdes se në pushtet do të vijë Berisha! Është po i njëjti mesazh që tash e tetë vjet është përdorur për të justifikuar qëndrimin në pushtet të Partisë Socialiste teksa korrupsioni përhapet në çdo qelizë të qeverisjes, ndërsa nga zhvillimi ekonomik përfitojnë gjithnjë e më pak njerëz dhe pakënaqësia në elektorat është gjithnjë e në rritje. Sa më i vështirë bëhet justifikimi i pushtetit socialist, aq më shumë ata thërrasin me të madhe: kujdes Berisha! Duke iu rikthyer pa përtuar krizës së 1997, e cila duket se përbën për regjimin socialist atë që për komunistët përbënte viti 1938. Nuk është çudi që këto tetë vite qeverisje të socialistëve të futen në histori si ‘Qeverisja e ‘97-ës’. Si për ironi, shpesh në këtë lojë socialistët kanë pasur aleat vetë Berishën, i cili, me ulërimat, gjestikulacionin dhe shpërthimet emocionale në fjalimet e tij, shpesh të jep përshtypjen e një njeriu që duket se nuk e ka veten nën kontroll.

Përtej frikës nga ‘gogoli Berisha’, moto ‘Mbro të ardhmen’ i përgjigjet modelit qeverisës, mbi të cilin është ngritur pushteti socialist. Në themel të këtij sistemi qëndron mekanizmi i kooptimit, që prodhon edhe një ndjenë të fortë bashkëfajësie dhe frike. Në modelin aktual të qeverisjes është maksimizuar hapësira për abuzim, që nga kryetari i shtetit deri te nëpunësi më i thjeshtë. Një maksimizim i tillë nuk ka ndodhur rastësisht. Sa më shumë zyrtarë, ministra, biznesmenë, pronarë apo gazetarë të përftojnë nga abuzimi me pushtetin aq më shumë mbështetje përftohet për të. Në qeverisjen socialiste pushteti është konceptuar si një plaçkë që ndahet bashkë me fajin për abuzivizmin, duke vënë në qendër të sistemit zgjedhimin e foljes vjedh; unë vjedh, ti vjedh, ai, ajo vjedh… e kështu me radhë. Diçka e tillë arrin dy funksione njëkohësisht. Së pari, shtohet numri i njerëzve që marrin pjesë në ‘qeverisje’, por në të njëjtën kohë kjo pjesëmarrje përbën edhe garancinë më të madhe që sistemi të ruhet dhe të vazhdojë të funksionojë, pasi në të kundërt penalizohen të gjithë ‘qeverisësit’. Në këtë mënyrë, sistemi i qeverisjes socialiste është mjaft më i decentralizuar, i hapur, gjithëpërfshirës dhe ‘liberal’ sesa sistemi tejet i centralizuar, shpesh mjaft autoritar, që ngriti Berisha gjatë qeverisjes së PD-së. Njëkohësisht ai është edhe mjaft më i qëndrueshëm, pasi gjithëpërfshirja në ‘qeverisje’ (kupto vjedhje) eliminon oponencën e mirëfilltë nga grupe të caktuara interesi, të cilat janë bërë pjesë e abuzimit. Në këtë sistem, toleranca ndaj abuzimit, shpesh është quajtur ‘liberalizëm’, ndërsa përftimi që kanë nxjerrë një numër gjithnjë e në rritje njerëzish nëpërmjet abuzimit me pushtetin shpesh është emërtuar ‘gjithëpërfshirje në qeverisje’.

Për nga vetë natyra ky sistem ka tendencë të thithë vazhdimisht aktorë të rinj. Kështu, një biznesmen, pronar gazete, gazetar, politikan, apo çfarëdolloj aktori tjetër ka qenë gjithnjë e më tepër i detyruar të zgjedhë midis dy rrugëve; pjesëmarrjes në sistem, ku duke marrë pjesë në abuzim apo duke mbyllur sytë përballë tij të mund të përfitojë, ose mënjanimin dhe lënien jashtë sistemit, çka shpesh mund të shoqërohej edhe me penalizime. Për arsye të kuptueshme pjesa më e madhe kanë zgjedhur rrugën e parë, çka bëri që të rriteshin shumë radhët e atyre që përftonin nga abuzimi me pushtetin, duke prodhur gjithnjë e më pak plaçkë për secilin prejt tyre në veçanti, dhe duke shtuar konkurrencën mes tyre. Ky ishte dhe mbetet dhe thelbi i çarjes brenda Partisë Socialiste, që më shumë se sa një mospërputhje idesh, apo vizionesh mbi shtetin, ishte finalizimi i luftës për kapjen e pushtetit dhe maksimizimin e përftimit nëpërmjet abuzimit me të.

Në një sistem të tillë është shumë e lehtë që t’i mobilizosh ata që kanë përftuar nga abuzimi me pushtetin përballë mundësisë së rotacionit politik me parulla të tipit: ‘Mbrohuni! Aq më tepër kur përballë ndodhet një opozitë si Partia Demokratike dhe një lider si Sali Berisha me një histori të provuar revanshi ndaj opozitës. Jo rastësisht përballë kandidatëve të opozitës vendosen ata që jo vetëm kanë përfituar më shumë nga regjimi socialist, por që mund të humbasin edhe më tepër nga humbja e pushtetit; biznesmenë-ministra, ministra-biznesmenë, zv/ministra-biznesmenë, apo drejtorë-biznesmenë. Ata janë jo vetëm përftues nga regjimi aktual, por edhe të rrezikuar nga ardhja në pushtet e opozitës. Është e ardhmja e tyre që rrezikohet më së shumti. Ndaj, “Mbro të ardhmen” është parulla që, para së gjithash, i drejtohet atyre, ndërsa në të njëjtën kohë anashkalon pyetjen së cilës socialistët nuk i përgjigjen dot: Po për të tashmen me kaq shumë korrupsion, papunësi dhe varfëri kush përgjigjet?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›