E Shtunë, 31 Tetor 2026

TEC- i Vlorës, në korrik vendosen agregatet



Punimet e TEC-it të ri përfundojnë në maj 2009

Kapaciteti prodhues, 2.4 milionë kWh/ditë

Punimet në TEC-in e Vlorës po rendin drejt përfundimit të shpejtë të projektit.

Pas një pune voluminoze që është bërë për ndërtimin e TEC-it të ri në Vlorë, shumë shpjet do të nisë vendosja e pajisjeve që do ta bëjnë atë funksional. Zyrtarë të KESH-it bëjnë me dije se në korrik do të nisë vendosja e agregateve dhe makinerive. Fakti që në muajin korrik do të behët vendosja e agregateve, tregon se projekti i TEC-it të Vlorë po shkon drejt finalizimit të tij, që do të thotë rreth 2.4 milionë kWh/ditë më shumë për konsumatorin shqiptar. Specialistë të KESH-it kanë sqaruar se deri më tash ka përfunduar pjesa kryesore e punimeve civile, ku përfshihen vendosja e bazamenteve të makinerive, të rezervuarëve për lëndën djegëse dhe ujit, bashkë me ndërtimin e godinave të kontrollit dhe të administratës. TEC-i i Vlorës, që shënon dhe kontratën e parë në fushën e gjenerimit të energjisë elektrike që prej më shumë se dy dekadash, pritet të përfundojë në maj të vitit 2009. Me një kapacitet prodhues prej 2.4 milionë kWh/ditë, ndërtimi i tij së bashku me linjën 400 kWh të interkonjeksionit, do të bëjnë të mundur që në mesin e vitit 2009 të përfundojë një herë e përgjithmonë varësia fatale e furnizimit me energji elektrike nga kushtet atmosferike. Një kontratë që kap shifrën 92 milionë euro, TEC-i Vlorës është financim i BB-së, BERZH-it dhe BEI dhe që po implementohet nga kompania “Maire Engineering” e përzgjedhur si fituese. Termocentralet si burime energjie vlerësohen si impiantet që kanë eficencën më të lartë bazuar në lëndën që digjet dhe prodhimin ekuivalent në MW, ndërsa kostoja e prodhimit të tyre varet nga çmimi i tregut të lëndës djegëse, që zë edhe 80% të kostos. Lënda djegëse me të cilën do të punojë TEC-i i Vlorës do të jetë naftë me nën 0.1% përmbajtje squfuri si dhe gaz natyror kur ky të jetë i disponueshëm në Shqipëri. TEC-i i Vlorës do të funksionojë me cikël të kombinuar, duke prodhuar energji elektrike jo vetëm nga gazi, por edhe avulli. Kjo bën që ky TEC të ketë parametrat më të lartë bashkëkohorë të rendimentit me mbi 50%. Projekti për TEC-in e Vlorës përfshin edhe nënstacionin e ri të Babicës, si dhe disa objekte të tjera, si linjën për daljen e tensionit të lartë 220 KV në nënstacionin e Fierit, linjën e tensionit të lartë 220 KV me dy qarqe Fier-Babicë, nënstacioni i Babicës me dy autotransformatorë 100 MVA, 220/110/35 KV secili, linjat 110/ 35 KV me rajonin, nënstacioni Vlora 2 110/20 KV me dy transformatorë, me fuqi prej 35 MVA secili. TEC-i i Vlorës përbën dhe investimin më të madh publik si vepër energjetike, pasi prej 25 vitesh nuk është ndërtuar asnjë objekt i ri prodhues i energjisë.

TEC-i i Vlorës, me fuqi 97 MW, pritet të bëhet funksional në maj 2009, duke rritur në këtë mënyrë kapacitetin prodhues në vend të energjisë.

Dy ditë më parë punimet e TEC-it të Vlorës i inspektoi Kryeministri i vendit, Sali Berisha. Kryeministri vlerësoi se për pozicionin që ka, TEC-i përbën një vepër shumë të rëndësishme energjitike për përmirësimin e parametrave të furnizimit me energji elektrike të kësaj zone, por edhe të vendit në tërësi, pasi, siç theksoi ai, në një kohë kur energjia është e kërkuar, 90 megavat nuk janë pak, por një sasi shumë e rëndësishme energjie për të furnizuar vendin. Kryeministri Berisha i konsideroi këto projekte të domosdoshme për të ruajtur parametrat e energjisë tek konsumatori. "Futja edhe e TEC-it në rrjet, i cili do të lidhet me nënstacionin e Babicës garanton një furnizim të shkëlqyer me energji të të gjithë zonës turistike të vendit nga Vlora deri në Ksamil”, - tha Kryeministri, dy ditë më parë në Vlorë.

Për të mbajtur nën mbrojtje zonën ku është ndërtuar TEC-i i Vlorës, KESH-i ka një projekt për ripyllëzimin e zonës ku ndërtohet vepra energjetike. Bazuar në lejen mjedisore për “Ndërtim dhe Shfrytëzim Termocentrali”, parashikohet ripyllëzimi për pemët e prera në zonën e Triportit, ku po vijojnë punimet për ndërtimin e TEC-it të Vlorës. Kështu, në zbatim të kësaj leje, korporata ka përcaktuar numrin e drurëve - 247 pisha - që janë prerë gjatë fazës së përgatitjes së kantierit të ndërtimit.

Ndërtimi i TEC-eve 5 MW, lënda djegëse, pa akcizë

Kompanitë private që do të ndërtojnë TEC-e me fuqi mbi 5 MW nuk do të paguajnë akcizë për lëndët djegëse që do të përdorin për prodhimin e energjisë. Komisioni i Ndihmës Shtetërore në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës ka miratuar një skemë të ndihmës shtetërore për të gjithë prodhuesit e energjisë elektrike nga termocentralet me fuqi më të madhe se 5 MW, duke i përjashtuar nga akciza e lëndëve djegëse, të përdorura për prodhimin e energjisë elektrike. Akciza e lëndëve djegëse të përdorura sipas skemës së ndihmës, do të rimbursohet deri në masën 80%, ndërsa pjesa tjetër prej 20% do të përballohet nga përfituesit, bënë të ditur burime nga METE. Skema synon të krijojë kushte lehtësuese për ndërmarrjet që ndërtojnë burime të prodhimit të energjisë elektrike me fuqi më të madhe se 5 MW, nëpërmjet përdorimit të lëndëve djegëse, për të siguruar plotësimin e nevojave me energji në vend. Investimet që do të përdoren për gjenerimin e energjisë duhet të jenë të reja, me teknologji moderne që respekton të gjitha standardet mjedisore. Ndërmarrjet janë të detyruara të lidhin marrëveshje me Ministrinë e Mjedisit dhe Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, ku do të marrin përsipër përmirësimin e eficencës së tyre, për sa i takon respektimit të kushteve mjedisore.

Tregu i sigurimeve, shqiptarët ndërgjegjësohen të sigurojnë jetën

Shqiptarët kanë nisur t’i japin më shumë rëndësi sigurimit të jetës pranë kompanive të sigurimeve. Të dhënat zyrtare të Autoritetit Mbikëqyrës Financiar, për 4-mujorin e parë të 2008-ës, tregojnë se sigurimi i jetës ka një rritje në përqindje, krahasuar me vitin e kaluar. Sipas të dhënave të AMF-së, numri i kontratave në sigurimin e jetës kapi shifrën 16 471, duke shënuar një rritje në masën 59.39% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Gjithsej, janë paguar 403 622 mijë lekë dëme ose 21.48% më pak se në periudhën janar - prill 2007. Ndërkaq, gjatë periudhës janar - prill 2008 tregu i sigurimeve ka një rritje në masën 14.73% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, volumi i primeve të shkruara bruto është rritur me 263.766 mijë lekë dhe kap shifrën 2.054.344 mijë lekë. Kjo rritje është ndikuar nga rritja e volumit të primeve të shkruara bruto në portofolin MTPL (sigurimi i përgjegjësisë ndaj palës së tretë) në masën 26.47%. Ndërkohë, referuar këtyre të dhënave, numri i kontratave është rritur me 25.412. Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e jo-jetës kap shifrën 1.897.387 mijë lekë dhe shënon një rritje në masën 12.05% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Numri i kontratave në sigurimin e jo-jetës kapi shifrën 178 124 duke shënuar një rritje në masën 16.64% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e jetës kap shifrën 156.956 mijë lekë dhe shënon një rritje në masën 61.43% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2007. Numri i dëmeve të paguara është rritur me 176 dhe kap shifrën 3 028 nga të cilat 3 012 dëme janë paguar nga shoqëritë e sigurimit të jo-jetës dhe vetëm 16 nga shoqëritë e sigurimit të jetës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›