E Diel, 1 Nëntor 2026

Forumi ekonomin 2013, Berisha: Shqipëria po përjeton vitet më të mira në energjetikë

TIRANË- Kryeministri Berisha ka qënë sot i pranishëm në Forumin Ekonomik 2013 kushtuar energjetikës, gjatë të cilit është firmosur edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes bursës së Tiranës dhe asaj të Stambollit.

Sipas kreut të qeverisë kjo marrëveshje gjen dhe vë në përdorim kapitalet e fjetura të shqiptarëve. “Realisht sot mendoj se është fusha më e sigurt për të investuar”, tha ai.

Duke u ndalur tek energjetika, Berisha u shpreh se për Shqipërinë kanë qënë vitet më të mira.

“Kanë qënë vite jo të lehta për ekonominë, por në Shqipëri për energjetikën kanë qënë vitet më të mira në histori. Ne kemi firmosur me vende të ndryshme 127 kontrata për ndërtimin e 363 HEC-eve nga 443 që janë për tu ndërtuar, të nivelit të mesëm e të madh. Nga 363 me të cilët është firmosur, 53 kanë përfunduar, dhjetra të tjerë janë afër përfundimit e në ndërtim e sipër. Këto ditë filloi punimet investimi më i madh ai i kaskadës së Devollit. Së shpejti kaskada e Fanit”, tha Berisha më tej. 

Ai tha se, “Vendosëm regjim fiskal të drejtë, hoqëm taksën e çelikut dhe çimentos për HEC”.

Berisha nënvizoi më tej se “Paketa e lehtësirave fiskale nuk është e fundit, 4 vitet që vijnë qeveria do jetë shumë më aktive në partneritetin publik-privat. Ne jemi forcë politike që besojmë në taksat e ulëta, qendrojmë të vendosur në platformën tonë.

Sipas kryeministrit, ‘Shqipëria është një vend për tu konsideruar seriozisht për naftën”.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›