E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forumi i Davos, borxhet e shteteve në situatë kritike

Çdo vit, në fund të janarit takohen në Davos të Zvicrës, menaxherë kryesorë, politikanë të lartë dhe ekspertë të ekonomisë nga e gjitha bota. Lart në Alpe, edhe këtë vit do të diskutohet për pasojat e krizës financiare. Një krizë tjetër në këtë përmasë, bota zor se mund ta përballonte. Ky është rezultati i një raporti të fundit (Global Risk Report), i cili u publikua pak para fillimit të takimit të Davos-it. Veçanërisht financat e shteteve ndodhen në një situatë shumë kritike, thuhet në këtë raport. Këtë vlerësim ka edhe eksperti i njohur gjerman për ekonominë, Rolf Langhammer: “Kriza në tregjet financiare dhe kriza e borxheve të shteteve, sigurisht që nuk ka përfunduar. Përkundrazi, ne kemi kaluar nga një krizë borxhesh private ekonomike, në një krizë të borxhit shtetëror. Shteti beson që nuk mund ta përballojë. Dhe për këtë, Forumi i Davos-it dhe po ashtu edhe grupi i vendeve G20, nuk kanë asnjë recetë”. Lidhur me këtë, Forumi i Davos-it dëshiron të mbështesë G20 në punën e saj. Franca ka këtë vit kryesinë e këtij grupi me vendet me ekonomi të fuqishme në botë dhe ka si qëllim të ofrojë një reformë të sistemit monetar ndërkombëtar. Por edhe për këtë, Rolf Laghammer, zëvendëspresidenti i institutit për Ekonominë Botërore në Kiel është shumë skeptik: "Unë nuk do ta quaja të mirë, në qoftë se do të projektonin një sistem monetar ndërkombëtar, që të ketë synime të caktuara për kursin e këmbimit në kufijtë e sipërm për pabarazitë ekonomike botërore. Ne kemi nevojë për një valutë referuese, ndërkombëtare që ajo duhet të jetë edhe në qendër të këtij sistemi monetar botëror. Por kjo valutë është vetëm në formën e dollarit. Dhe kjo është dilema e kinezëve: Ata janë kreditorët e mëdhenj, ata flasin keq për dollarin - por ata e mbështesin atë. Për sa kohë që kjo dilemë nuk zgjidhet, ne nuk kemi nevojë që të flasim për një sistem monetar ndërkombëtar, kjo nuk do të kishte sukses”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›