Foshnja e braktisur, sensibilizohen qytetarët
SARANDE – Qytetarë dhe biznesmenë të Sarandës kanë ndihmuar menjëherë pas apelit foshnjën e braktisur menjëherë pas lindjes. Menjëherë pas thirrjes që mjekët e maternitetit bënë për t’i ardhur në ndihmë me veshje dhe qumësht vajzës së vogël, ata kanë reaguar. Sipas mjekëve është vënë re një sensibilizim i madh i banorëve të qytetit të Sarandës për të sapolindurën. Fëmija e braktisur, e gjetur rastësisht 3 ditë më parë nga një bari, në një grumbull ferrash në fshatin Pal, është në gjendje të mirë shëndetësore. Pas punës së specializuar mjekësore, foshnja doli nga gjendja e rrezikut për jetën. Që nga dita e hënë sipas burimeve nga materniteti “Kristo Kalivopulli” në Sarandë gjendja e saj ka ndryshuar krahasuar me paraditen e së shtunës, kur vogëlushja e bukur u bë banore e këtij materniteti. Banorë të Sarandës kanë filluar të çojnë në maternitet si qumësht fëmijësh, bebelino, rroba, por edhe krem fëmijësh,që do të vihen në shërbim të vajzës së vogël, që me sa dimë e kanë quajtur Saranda. sh.d