Llogari bankare fiktive, burg 2 biznesmenëve
TIRANE – Hapja e llogarive bankare fantazmë, për t’i shpëtuar taksave të shtetit, mund t’u kushtojë 3 vjet e 4 muaj dhe 1 milion e 500 mijë lekë dy biznesmenëve. Prokuroria për krimet e Rënda kërkoi dje deklarimin fajtor të Petraq Dodit dhe Theodhoraq Zharkallit, për veprën penale të “çeljes së llogarive anonime”, “shmangies së detyrimeve” dhe “falsifikimit”. Në përfundim të leximit të konkluzioneve përfundimtare, organi i akuzës kërkoi dënimin me 2 vjet burg e 900 mijë lekë gjobë për të pandehurin Petraq Dodi, ndërsa dënimin me 1 vit e 4 muaj heqje lirie e 600 mijë lekë gjobë për të pandehurin Theodhoraq Zharkalli. Kërkesa përfundimtare e organit të akuzës, për masën e dënimit ndaj dy të pandehurve, përmbante edhe uljen e 1/3-ës për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Duke iu referuar kërkesës për gjykim, të paraqitur nga Prokuroria për Krimet e Rënda në gjykatë veprimtaria e jashtëligjshme e dy biznesmenëve është regjistruar në vitin 2004. Sipas Prokurorisë, ata i ishin shmangur detyrimeve dhe taksave ndaj shtetit në shumën e rreth 115 milionë lekëve të rinj. Për organin e akuzës, ata kanë transferuar para nga llogaritë e tyre bankare në llogari të personave të tjerë, duke përdorur emra të të afërmve të tyre. Denoncimi i tyre në organet e drejtësisë është bërë nga Drejtoria e Tatim-Taksave të Korçës dhe të Gjirokastrës. Nga hetimet e bëra nga prokuroria ka rezultuar se i pandehuri Petraq Dodi kishte hapur llogari bankare, duke përdorur një emër të rremë, Apostol Minga. Ndërsa në dokumentacionin e kësaj llogarie ekzistonte fotografia e të pandehurit tjetër Theodhoraq Zharkalliu. Gjithashtu hetuesit kishin arritur të evidentonin edhe një llogari me emrin Dhimitraq Xhima, që sipas hetimeve ishte sërish e të pandehurit Dodi. Nga këto llogari ishin realizuar transferua të ndërsjellta monetare që arrinin në shifra të konsiderueshme. Shumica e parave të xhiruara në llogari të ndryshme, të cilat ishin fiktive, përfundonin në llogari të Dodit. Sipas prokurorisë, qëllimi i këtyre transfertave ishte fshehja e pasurisë si edhe shmangien e detyrimeve tatimore. ar.ba