E Diel, 1 Nëntor 2026

Foshnjat që kanë ardhur në jetë Natën e Krishtlindjeve

Fëmija i parë pas orës 12.00 është vajzë dhe peshon rreth 2 kg. Tetë foshnjat e para në ditën e Krishtlindjeve në maternitetin “ M. Geraldinë”

Emanuela Sako

Banorët më të rinj të kryeqytetit janë 8 foshnja, që kanë ardhur në jetë në një ditë të veçantë siç janë Krishtlindjet. Fëmija i parë që ka ardhur në jetë në Natën e Krishtlindjeve është vajzë dhe peshon rreth 2 kg. Ajo lindi në orën 01 e 30 të mesnatës nga një lindje natyrale. Foshnja ka lindur në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në kryeqytet. Kjo foshnjë do të quhet fëmija i parë i Krishtlindjeve dhe prindërit janë të lumtur për ardhjen në jetë në një ditë të veçantë, në ditën e lindjes së Krishtit. Prindërit dhe stafi mjekësor e kanë quajtur mbarësi për fëmijën dhe familjen e saj që ka lindur në një ditë kur e gjithë bota feston lindjen e Krishtit. Mjekët që kanë pritur lindjen e foshnjës shprehen se vajza ka lindur e shëndetshme dhe është brenda parametrave të një lindjeje normale. Prindërit nuk i kanë vendosur ende emrin, por personeli mjekësor rrëfen se vajza do të ketë një emër domethënës që do të lidhet me simbolikën e Krishtlindjeve.
Materniteti
Në këtë maternitet gjatë orëve të para të kësaj dite kanë ardhur në jetë edhe tetë foshnja të tjera. Pas orës një e gjysmë të mesnatës, kur lindi foshnja e parë, mjekët asistuan në një lindje tjetër në orën 04:30. Këtë herë lindi një djalë. I porsalinduri peshon 3 kg e 50 gr dhe është një fëmijë i shëndetshëm. Por ardhja e tij në jetë u krye përmes një operacioni, pasi nëna e tij nuk ishte në gjendje të bënte një lindje normale. Nga mesnata e deri në mesditën e ditës së djeshme janë shënuar 8 lindjet e para, të cilat prindërit i quajnë një mrekulli, falë simbolikës së Ditës së Krishtlindjeve.
Bonusi
Autoritetet politike nuk janë kujtuar për të bërë përshëndetjet e tyre të zakonshme në maternitetet e Tiranës, ku zakonisht kanë preferuar të bëjnë urimet e tyre me foshnjat e porsalindura në duar. Të gjithë të porsalindurit do të përfitojnë një dhuratë simbolike nga Bashkia e Tiranës. Fëmijët e porsalindur kanë mundësi të kenë nga një llogari të veçantë bankare me një vlerë prej 5000 lekësh. Por kësaj shume i shtohen edhe 500 lekë nga Raiffeisen Bank. Bashkia e Tiranës, disa muaj më parë, nënshkroi aktmarrëveshjen me Bankën Raiffeisen, e cila do të kryejë shpërndarjen e fondit prej 5000 lekësh që Bashkia jep për të gjithë fëmijët e porsalindur dhe të regjistruar. Kjo është një nismë e re e Bashkisë, që synon pavarësinë e fëmijëve që në lindje. Nëse prindërit nuk do ta tërheqin këtë shumë parash, përveç përqindjes që i shtohet nga banka, prindërit mund të kontribuojnë në çdo kohë për të shtuar llogarinë e fëmijëve. Kjo llogari do të shërbejë në një të ardhme të sigurt, të cilën fëmijët mund ta përdorin për nevojat e tyre. Nëpërmjet kësaj nisme, synohet që shuma e vogël e parave mund të rritet për të siguruar studimet edhe nëse prindërit nuk do të kenë mundësi të kontribuojnë për fëmijën pas disa vitesh.

26 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›