Kriza ekonomike përfshin sektorin imobiliar, bien qiratë e zyrave dhe të dyqaneve
Në vitin 2008 sipërfaqja e hapësirave për zyra është 44 500 m2. Deri në 2011-n sipërfaqja e zyrave në Tiranë do të trefishohet
Ervin Koçi
Ndryshe nga ç’mund të mendohej në fillim të këtij viti, tregu imobiliar gjatë dy muajve të fundit është futur në një ngërç të përgjithshëm, i cili po përkthehet në një rënie të interesit si për blerje, ashtu dhe për marrje me qira. Qiratë e zyrave, të banesave dhe lokaleve tregtare të tjera kanë pësuar rënie gjatë këtij viti, sidomos në pjesën e dytë të tij. Ekspertët e agjencive imobiliare në kryeqytet japin parashikime edhe më negative përsa i takon vitit të ardhshëm, ku sipas tyre, e njëjta situatë pritet që të vazhdojë edhe në vitin në vijim. Në një raport të sajin vjetor të zhvilluar për tregun shqiptar, “Colliers International” (Agjenci Ndërkombëtare Real Estate) bën të ditur se “gjatë viteve në vijim dhe sidomos në vitin 2009, pritet që të ketë një rënie të qirave”. Shkaqet për këtë sjellje në tregun shqiptar janë të shumta dhe lidhen më së shumti me shtimin e ndjeshëm të sipërfaqeve të zyrave dhe ambienteve tregtare, por një nga faktorët kryesorë mbetet dhe rënia e fuqisë së klientëve “elitë”, të cilët kishin fuqinë e përballimit të qirave të shtrenjta. Sipas të dhënave të raportit të studimit të tregut për vitin 2008, bëhet e ditur se deri në vitin 2000 në Tiranë nuk mund të flitej për zyra të klasit të parë, ndërsa deri në fund të vitit 2008 llogaritet që sipërfaqja e tyre të mbërrijë deri në 44 500 metra katrorë.
Sipërfaqet e reja
Të dhënat e tregut imobiliar nxjerrin gjithashtu në dukje një rritje të shpejtë të sipërfaqeve të zyrave në Tiranë, sidomos gjatë 3 viteve të fundit. Ndërkohë, në 3 vitet e ardhshme, pra deri në vitin 2011, parashikohet që sipërfaqja e zyrave që do të jenë në dispozicion të biznesit do të shkojë në rreth 90 000 metra katrorë. Në këto të dhëna flitet për ambiente të standardeve të larta. Sipas agjencive imobiliare, nëse do të realizohen të gjitha ndërtimet e parashikuara deri në vitin 2011, sipërfaqja e zyrave në Tiranë mund të trefishohet përsa u përket atyre që klasifikohen në klasin “A”. Aktualisht çmimi i qirasë së zyrave sipas të dhënave nga tregu imobiliar varion nga 12 deri në 20 dollarë për metër katror. Tregu imobiliar në Shqipëri vazhdon që të vuajë një mungesë të thelluar të ndërmjetësimit. Vetëm një pjesë e pakët e transaksioneve në këtë treg mund që të realizohen nga ana e agjencive imobiliare. Pjesa më e madhe e transaksioneve në këtë treg vazhdon që të realizohet në mënyrë të drejtpërdrejtë midis shitësit dhe blerësit. Vështirësi të tilla sjellin edhe vonesa në transaksione, pasi klientët janë të detyruar që të humbasin kohë në gjetjen e sipërfaqeve të përshtatshme të zyrave apo ambienteve të tjera me qira. Ende mbeten të dhëna të papublikuara ato që u përkasin sipërfaqeve të lira për t’u dhënë me qira. E njëjta situatë është e pranishme edhe në shitjen dhe blerjen e banesave.
Qiratë e shtëpive
Në periudha të ndryshme të vitit, numri i shtëpive të ofruara me qira qe aq i ulët, sa as ofertat 20 deri në 30 mijë lekë nuk ishin të bollshme. Por kjo situatë duket se ka ndryshuar tashmë. "Njerëzit janë të etur për të gjetur qiramarrës sa më parë dhe çmimet janë në rënie",- thotë një agjent pronash të paluajtshme në Tiranë. "Njerëzit që kërkojnë të marrin shtëpi me qira kërkojnë ofertat më të lira të mundshme dhe nga ana tjetër, klientë që mund të paguajnë shtrenjtë është e vështirë të gjesh në këtë ditë", - vijon ai. Në rritje janë edhe ofertat për ndarje qiraje për të njëjtën banesë, ose për dhënien me qira të vetëm një dhome. Bollëku i ofertave ndjehet në të gjithë Tiranën, nga qendra në periferi. Ndërkohë, numri i njoftimeve për ambiente të destinuara për të huajt me qira të shtrenjtë, është në rënie, pasi edhe kjo kategori klientësh është zvogëluar tepër. Vitin e kaluar qiraja e banesave në Tiranë qe mesatarisht 5-7 euro për metër katror në muaj. Sot ka zbritur në 3-5 euro për m2. Në zonat në periferi të Tiranës, apartamente 1+1 apo 2+1 të ndërtuara rishtazi, ofrohen për qira mujore 25-30 mijë lekë. Në zonat e reja urbane, si në Kinostudio apo në Unazën e Re, çmimet kanë rënë nën 15 mijë lekë në muaj.
Pasiguria ekonomike i mban edhe studentët larg shtëpive me qira
Sezoni studentor këtë fundviti ka nisur me një stepje të studentëve që vijnë nga rrethet për të marrë një shtëpi me qira në Tiranë. Pjesa më e madhe e tyre janë rregulluar edhe këtë vit nëpër konvikte, të detyruar nga kushtet e vështira financiare, por edhe ata që kanë marrë një shtëpi me qira janë spostuar nga qendra drejt periferive, aty ku dhe qiratë janë më të lira dhe më të përballueshme. Një nga shkaqet e rënies së çmimeve të qirave të banesave në Tiranë lidhet me sezonin e studimeve. Shumë njerëz përgatiten të gjejnë një qiramarrës të ri, pasi të jenë larguar studentët, që sipas një agjencie, përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullatës totale të Tiranës që jeton me qira. E njëjta situatë përsëritet në një trend të kundërt në periudhën kur studentët kthehen sërish në Tiranë. Arsyeja tjetër e rënies së çmimeve lidhet edhe me pasigurinë ekonomike të qytetarëve. Për shkak të mungesës së sistemit të mbrojtjes shoqërore, një i papunë e ka të pamundur të paguajë qiranë. Sipas një sondazhi të kryer muajin e kaluar, 32 për qind e popullatës rezultoi se i druhej papunësisë. Shifra të tilla janë të pranuara dhe nga Agjencia Amerikane e Inteligjencës (CIA). Ndërsa sipas Institutit të Statistikave, papunësia është rreth 13 për qind.
Shtohen në kryeqytet apartamentet stoqe
Agjentët imobiliarë në kryeqytet njoftojnë se është shtuar shumë numri i ofertave të dyfishta, të cilat vijnë nga pronarët e apartamenteve që i ofrojnë apartamentet e tyre dhe për shitje, por dhe për qira afatgjate. Rënia e shitjeve të apartamenteve gjatë vitit të kaluar ishte me katër herë. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky efekt ka krijuar një sasi të konsiderueshme apartamentesh të padhëna me qira ose të pashitura. Këto apartamente ndikojnë fort në rënien e çmimeve sepse janë të pamobiluara e rrjedhimisht, të papërshtatshme për një gamë të gjerë klientësh qiramarrës. Një nga arsyet e tjera që ka pasoja të drejtpërdrejta në zhvillimin e tregut imobiliar mbeten titujt e pronësisë. Ende një pjesë e madhe e banesave dhe ambienteve të tjera të dhëna me qira mbeten pa hipotekë, duke vështirësuar ndjeshëm transaksionet.
Të dhëna
12-20 dollarë për metër katror kushton mesatarisht sot çmimi i qirasë së zyrave sipas të dhënave nga tregu imobiliar
3-5 euro për metër katror në muaj ka zbritur aktualisht qiraja mesatare e apartamenteve në Tiranë
5-7 euro për metër katror në muaj kushtonte mesatarisht qiraja e banesave vitin e kaluar në Tiranë
25-30 mijë lekë kushton qiraja e një banese në zonat në periferi të Tiranës për apartamente 1+1 dhe 2+1
32 për qind e popullatës në Shqipëri rezultoi se i druhej papunësisë sipas një sondazhi të kryer muajin e kaluar
26 Dhjetor 2008