Vazhdon situata e vështirë në spitale, shtohet numri i pacientëve
Vazhdon rritja e numrit të pacientëve të prekur nga virozat e stinës apo sëmundje të tjera që shkaktohen nga temperaturat e ulëta. Mjekët raportojnë për një situatë të vështirë, pasi fluksi ka ardhur në rritje dhe kapacitetet në Urgjencën e Kardiologjisë apo në pavijone të tjera janë të pamjaftueshme. Mjekët po bëjnë të pamundurën për t’iu ardhur në ndihmë pacientëve dhe për t’i vendosur në dhomat e shtrimit ku do të marrin mjekimin e nevojshëm njëlloj me të tjerët. Megjithëse dita e djeshme ka qenë ditë pushimi, personeli mjekësor ka qenë i gatshëm për të pritur pacientët. Që prej dy ditësh, Urgjenca e Kardiologjisë është mbipopulluar nga pacientët, që janë shtuar së tepërmi ditët e fundit. Shkak për këtë janë bërë virozat e stinës si pasojë e uljes së temperaturave. Dhomat e shtrimit janë tejmbushur me pacientë dhe mjekët ankohen se nuk kanë ku t’i vendosin, pasi në çdo orë vijnë të tjerë. Drejtoria e QSUT-së ka dhënë urdhër që një numër pacientësh të shtrohen edhe në pavijonet e tjera, të 6-katëshit, pasi kapacitetet nuk janë të mjaftueshme. Moshat më të prekura janë të moshuarit, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj të ftohtit. Virozat e stinës dhe luhatjet e temperaturave kanë shtuar ndjeshëm numrin e fëmijëve të paraqitur në Urgjencën e Pediatrisë në Tiranë. Mjekët tregojnë se numri i të miturve që drejtohen në Pediatri ka arritur në 200. Ditët e fundit, numri i fëmijëve të prekur nga virozat e stinës ka ardhur duke u shtuar me ritme të shpejta. Duket se situata do të jetë tepër e vështirë në ditët e ardhshme. Sinoptikantët flasin se temperaturat do të vijnë duke u ulur. Simptomat e virozës së fëmijëve janë: gjendja gripale, ftohje apo temperaturë e lartë. Sipas mjekëve, një situatë e tillë është e zakonshme në këtë periudhë dhe pritet që në ditët në vijim të ketë një rritje të numrit të fëmijëve të prekur nga virozat e stinës së ftohtë të dimrit. Megjithëse ISHP-ja ka bërë të ditur shtimin e numrit të fëmijëve që kanë marrë vaksinën antigrip, duket se parandalimi i gripit është bërë i pamundur. Mjekët këshillojnë që prindërit të mbajnë nën kontroll të vazhdueshëm fëmijët dhe, nëse shohin gjendje të rënduar shëndetësore, të drejtohen menjëherë në qendrat shëndetësore. Sipas mjekëve, ndryshimi i menjëhershëm i motit, si dhe luhatjet e vazhdueshme të temperaturave, stimulojnë edhe më shumë shfaqjen e virozave të stinës.
Lagjet e kryeqytetit vuajnë nga “dyndja” e plehrave
Qytetarët në disa zona të Tiranës janë zgjuar nën “dyndjen” e plehrave, të cilat nuk janë hequr si zakonisht nga makinat e plehrave. Duket se firmat e kontraktuara nga Bashkia e Tiranës kanë preferuar ta bëjnë pushim ditën e festës së Krishtlindjeve. Ndërsa banorët janë përballur me erën e keqe të mbeturinave poshtë dritareve. Kjo situatë është bërë e zakonshme sa herë që ka festa dhe shumica e bizneseve qëndrojnë hapur gjatë orëve të vona të natës. Pas festës së ditës së djeshme mjaft lokale e restorante e kanë vazhduar aktivitetin deri në orët e para të mëngjesit. Për këtë arsye, mbeturinat janë shkarkuar me vonesë në kazanët e plehrave dhe në mëngjes kanë qenë të tejmbushur. Më problematike për heqjen e plehrave rezultojnë kontenierët që ndodhen në lagjet periferike të Tiranës, por edhe në ato që janë të shmangura nga rrugët kryesore. Qytetarët kanë qenë të alarmuar nga kjo situatë dhe janë shprehur se do të ankohen pranë bashkisë. Sipas tyre, era e keqe e kontenierëve të hapur ndihet në banesat e tyre.
26 Dhjetor 2008