E Shtunë, 31 Tetor 2026

Llojet e vizave që lëshojnë autoritetet italiane

Tarifa për marrjen e vizës dhe kush përjashtohet nga pagesa. Procedurat për marrjen e vizës për qëllime të ndryshme

Jonida Tashi

Autoritetet italiane mund të lëshojnë katër lloje vizash. Lloji i vizës tregohet në një seksion të veçantë të vizës pullë dhe shënohet me shkronjat A, B, C ose D.
Viza tranzit aeroportuale - A
Kjo vizë u mundëson të huajve, që u kërkohet ta kenë, qëndrimin në zonën ndërkombëtare tranzit të një aeroporti
ndërkohë që presin fluturimin e radhës, por nuk lejon hyrjen në vend. Shtetasit nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia, nuk kanë nevojë për vizën aeroportuale (A).
Viza tranzit - B
Kjo vizë i mundëson një të huaji, që udhëton nga një vend në një tjetër, kalimin tranzit nëpër territorin e Shengenit. Viza tranzit mund të lëshohet vetëm nëse i huaji vërteton se ai ose ajo ka leje për të hyrë në vendin e destinacionit pas qëndrimit të tij/saj në territorin e Shengenit. Viza tranzit mund të lëshohet me një ose dy kalime tranzit dhe, në raste të veçanta, shumë kalime tranzit, me kusht që asnjëri prej kalimeve tranzit të mos e kalojë numrin e ditëve të përcaktuara në kohëzgjatjen e seksionit të qëndrimit te viza pullë. Me ligj, viza tranzit nuk mund të jetë më e gjatë se 5 ditë.
Viza afatshkurtër - C
Kjo vizë i mundëson të huajit hyrjen dhe qëndrimin në territorin e Shengenit për qëllime turizmi, tregtie, personale, vizitë ose për ndonjë qëllim tjetër të ngjashëm. Një vizë afatshkurtër mund të lëshohet për një, dy ose shumë hyrje në vend nga të cilat as një qëndrim i vetëm i pandërprerë, as kohëzgjatja e përgjithshme e numrit të ditëve të njëpasnjëshme, nuk i kalon 90 ditët brenda një periudhe prej gjashtë muajsh, duke filluar nga data e hyrjes së parë. Mbi bazën e Marrëveshjeve për Lehtësimin e Vizave dhe për Ripranimin ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, shtetasit e këtyre vendeve vazhdojnë të kenë nevojë për vizë Shengen C për të hyrë në Itali; megjithatë, ata përfitojnë nga një tarifë e reduktuar për lëshimin e vizës (35 euro dhe jo 60 euro). Shumë kategori aplikantësh (pjesëtarë familjesh të shtetasve me qëndrim të ligjshëm, studentët dhe pensionistët, gazetarët, etj.) tani mund të përfitojnë viza pa pagesë. Për kategori të caktuara personash, psh. tregtarë, studentë dhe gazetarë, kriteret për dokumente janë më të thjeshtuara. Disa kategorive të personave që udhëtojnë shpesh (duke përfshirë tregtarë, gazetarë, studentë, përfaqësues të shoqërisë civile) do t’u jepen viza me shumë hyrje që janë të vlefshme për periudha të gjata, ndërsa personat me pasaporta diplomatike do të përjashtohen nga detyrimi për vizë.
Tarifa e marrjes së vizës
Tarifa për përpunimin e kërkesës për vizë është 35 euro. Nga kjo tarifë do të përfitojnë të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë dhe kjo është e vlefshme për të gjitha tipet e vizave Shengen, për shembull, si për ato tranzit, ashtu dhe për vizat me qëndrim të shkurtër, pavarësisht nga numri i hyrjeve. Meqenëse kësaj tarife i korrespondojnë shpenzimet administrative për përpunimin e kërkesës për vizë, ajo duhet të paguhet kur dorëzohet kërkesa për vizë dhe nuk ka rimbursim në rast të refuzimit të dhënies së vizës. Përjashtime nga pagimi i tarifës së vizës bëjnë disa kategori të caktuara, që përfitojnë nga mospagimi i tarifës së vizës. Me qëllim që të përfitosh nga mospagimi i tarifës së vizës duhet të sigurohen prova nga kërkuesi për vizë që ai/ajo bën pjesë në një prej kategorive të personale të mëposhtëm.

Kategoritë që përjashtohen nga tarifa e vizës

Të afërmit e ngushtë të familjes, bashkëshortët, fëmijët (përfshirë fëmijët e birësuar), prindërit (përfshirë prindërit kujdestarë), gjyshërit dhe nipërit, që vizitojnë qytetarë shqiptarë që banojnë ligjërisht në territorin e Shteteve Anëtare;
Anëtarët e delegacioneve zyrtare, të cilët, në bazë të një ftese zyrtare të drejtuar Republikës së Shqipërisë, duhet të marrin pjesë në takime, konsultime, negociata ose programe shkëmbimi, sikurse dhe në evente që do të mbahen në territorin e Shteteve Anëtare nga organizata ndërqeveritare;
anëtarët e Këshillit të Ministrave, të Parlamentit, Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, në rast se ata nuk përjashtohen nga kërkesat për vizë të Marrëveshjes aktuale;
Nxënësit, studentët, studentët pasuniversitarë dhe mësuesit që i shoqërojnë, të cilët ndërmarrin udhëtime me qëllime studimi ose trajnimi mësimor;
Fëmijët nën moshën 6 vjeç;
Personat me aftësi të kufizuar dhe personat që i shoqërojnë ata, nëse është e nevojshme;
Personat që kanë paraqitur dokumente, që vërtetojnë domosdoshmërinë e udhëtimit të tyre për qëllime humanitare, përfshirë këtu edhe ata që kanë nevojë të marrin trajtim mjekësor urgjent dhe personat që i shoqërojnë ata, ose që u duhet të jenë të pranishëm në funeralin e një të afërmi të tyre, ose të vizitojnë një të afërm të ngushtë të tyre që është i sëmurë rëndë;
Pjesëmarrësit në veprimtari sportive ndërkombëtare dhe personat që i shoqërojnë ata në cilësinë e kapacitetit profesional;
Personat pjesëmarrës në veprimtari shkencore, kulturore dhe artistike përfshirë këtu dhe programe universitare dhe lloje të tjera programesh shkëmbimi;
Pjesëmarrësit në programe zyrtare shkëmbimi të organizuar nga qytetet e binjakëzuara;
Personat e persekutuar politikisht gjatë regjimit komunist;
Pensionistët;
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile që udhëtojnë me qëllim pjesëmarrjen në takime, seminare, programe shkëmbimi ose kurse trajnimi;
Gazetarët;
Përfaqësuesit e komuniteteve fetare të regjistruara në Republikën e Shqipërisë që vizitojnë diasporat e Republikës së Shqipërisë në territorin e Shteteve Anëtare;
Shoferët që kryejnë shërbime të transportit ndërkombëtar të mallrave dhe të udhëtarëve për në territoret e Shteteve Anëtare me automjete të regjistruara në Republikën e Shqipërisë;
Pjesëtarët e ekuipazhit të trenave, të mjeteve frigoriferike dhe të lokomotivave të trenave ndërkombëtarë, që udhëtojnë në territoret e Shteteve Anëtare;
Anëtarët e profesioneve që marrin pjesë në ekspozita ndërkombëtare, konferenca, simpoziume, seminare dhe evente të tilla të ngjashme të mbajtura në territorin e Shteteve Anëtare. Për më tepër, misionet diplomatike dhe konsullatat mund të heqin ose të reduktojnë tarifën e vizës në raste individuale.

26 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›