Fostoksina, helmi i vetëvrasjes duhet shitur me licencë
Fier/ Pesticidi bujqësor është një nga më të përdorurit në tentativat për vetëvrasje në zonën e Myzeqesë
FIER - Rrethi i Fierit, si dhe ai i Lushnjës përsa i përket vdekjeve nga pesticidi bujqësor vdekjeprurës i njohur me emrin fostoksinë, ka shifra shqetësuese. Ndërsa për vitin 2008 kanë qenë 11 raste me vdekje, për 9-mujorin e parë të vitit 2009 ka pasur 6 raste me vdekje, të moshave të ndryshme. Të pyetur lidhur me këtë lëndë, nga ana e mjekëve, por edhe farmacistëve, kërkohet që të ketë një vendim dhe ato të mos i shiten kujtdo që i kërkon, për të minimizuar kështu edhe mundësinë e përdorimit të tyre nga personat e prirur për vetëvrasje.
Mjeku Kilo Stoja, i cili punon në sallën e shërbimit të reanimacionit të përgjithshëm, ku zakonisht paraqiten të sëmurë rëndë, por edhe ata me helmime të ndryshme, flet për "Shekulli"-n duke treguar se çdo vit trajtohen 50-80 raste vetëhelmimesh të ndryshme.
"Ne trajtojmë lloje të ndryshme vetëhelmimesh me medikamente apo preparate të tjera, siç janë pesticidet që përdoren në bujqësi, - thotë mjeku Stoja. - Do të veçoja këtu fostoksinën, e cila paraqet një rrezikshmëri tepër të lartë për ata që e përdorin. Kështu, mund të themi që gjatë 9 muajve të parë të këtij viti kemi pasur 12 raste vetëhelmimesh, prej të cilëve gjysmat kanë gjetur vdekjen. Janë vetëhelmime që kanë ndodhur për motive tepër të dobëta", shprehet mjeku.
Duke folur për fostoksinën, Stoja pohon se është një preparat tepër i rrezikshëm dhe që ka një toksicitet tepër të lartë, pasi brenda pak minutave arrin të shfaqë efektin e tij të plotë. "Ai sapo bie në stomak shpërthen dhe çliron toksinat, të cilat bëhen të pamundura për t'u ndaluar. Ndërhyrja e mjekëve është tepër intensive në të tilla raste, por sasia e marrjes së tyre ose ardhja me vonesë në spital, sepse duke qenë se veprimin këta njerëz e bëjnë me vetëdije, qëndrojnë në shtëpi derisa u shfaqen shënjat e para, duke rrezikuar edhe më tepër jetën",- përmbyll mjeku.
Ndërkohë, Halim Zeka, me profesion agronom, i cili zotëron një farmaci bujqësore. I pyetur për tregtimin e fostoksinës fillimisht ai përgjigjet se nga ky preparat bujqësor ka pasur shumë vdekje në rrethin e Fierit, ndërkohë që këshillon që personi që duhet të marrë fostoksinën duhet të jetë me licencë, si dhe duhet të dijë përdorimin e saj dhe ta ruajë atë në vende të sigurta. Lidhur me numrin e lartë të vdekjes, Zeka thotë se janë shitësit ambulantë ata që shesin fostoksinën në rrugë pa u kontrolluar nga askush, duke vijuar të thotë se kjo lëndë e rrezikshme gjendet në tregjet e Fierit apo të Lushnjës shumë lehtësisht.
"Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit dhe Konsumatorit duhet të ndërmarrë herë pas herë kontrolle për të mos lejuar shitjen në treg të lirë të këtij preparati, pasi shitja e saj duhet t'u bëhet vetëm personave të licencuar",- thotë Zeka, duke kërkuar kështu një kontroll më tepër që kjo lëndë e rrezikshme dhe shumë e përdorur në vetëvrasje të mos jetë pjesë e tregut të lirë.