Foto Strakosha: Jeta ime, mes Tiranës dhe Athinës!
E kam filluar punën me shumë pasion dhe dashuri, duke vënë eksperiencën time, por jo vetem, në shërbim të ngritjes së një ekipi ambicioz
Një muaj më parë, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi në një konferencë për shtyp se Foto Strakosha emërohet trajner i përfaqësueses U-19 në vend të Skënder Gegës, i cili mori pozicionin e Bushatin tek U-21. Aktualisht trajner i U-19-s, Foto Strakosha, ish-portieri i kombëtares shqiptare për 15 vjet, ndodhet në Greqi, por siç thotë vetë, është në përfundim të hartimit të projektit për ekipin që do të drejtojë.
Shqipëria U-19 nuk mundi të kualifikohej në Turin Elitë, pasi zuri vendin e tretë në grup, çka do të thotë se ndeshjet e radhës ndërkombëtare do të luhen pas rreth 10 muajsh. Kjo periudhë e gjatë do ta ndihmojë Strakoshën të këqyrë e përzgjedhë elementët më të mirë për eliminatoret e ardhshme.
- Jeni emëruar zyrtarisht trajner, por ende nuk e keni filluar punën. Pse?
- Së pari, me lejoni tju shpreh falënderimin tim për idenë e intervistës me mua. Është intervista e parë si trajner. Unë nuk e di çfarë kuptoni me nuk keni filluar punën. Punën e kam filluar që nga momenti i komunikimit me presidentin e federatës, zotin Duka. Për të qenë i sinqertë, emocioni i marrjes së kësaj detyre të rëndësishme për mua dhe emrin tim është tepër i madh dhe e konsideroj një sfidë me realitetin sportive, pse jo dhe me veten. Koha nuk është për fjalë, por për punë.
- Cila do të jetë strategjia juaj për një U-19 sa më cilësore?
- Jam duke përfunduar programin dhe strategjinë për ekipin, infrastrukturën, që të bëjnë të mundur realizimin e objektivit tim dhe te stafit të përfaqësueses U-19, studimin e gjendjes dhe situatës ku ndodhet grup-mosha e U-19 në Shqipëri dhe kudo ku ka komunitet shqiptar, përzgjedhjen e elementëve që do të jenë burimi i ri për ekipin, plus prurjet nga grup-moshat inferiore.
Ndoshta me takon të shkruaj dhe më shumë, por le të mjaftojnë këto rreshta si përgjigje që unë e kam filluar punën me shumë pasion dhe dashuri, duke vënë eksperiencën time, por jo vetem, në shërbim të ngritjes së një ekipi ambicioz, me ide, qëllime dhe objektiva. Uroj ta kemi, por edhe ta zbulojmë talentin për realizimin e këtij synimi.
- Do të shkëputeni plotësisht nga Panioniosi?
- Qysh në momentin që mora përsipër këtë mision, përveç respektimit të kontratës me FSHF-në, kam qenë i bindur për tu investuar 100% me U-19. Unë jam trajner i këtij ekipi. Jeta e ime dhe e familjes sime është midis Tiranës dhe Athinës, syte e të ardhmes janë në Shqipëri. Panioniosi do të mbetet në memorie si pjesë e historisë personale futbollistike. Më dha, por edhe i kam dhënë gjithçka.
- A i keni zgjedhur bashkëpunëtorët tuaj më të afërt, ndihmëstrajnerin dhe trajnerin e portierëve?
- Për pak ditë do të jem në Tiranë dhe do ti bëj dhe publikë emrat. Kam zgjedhur njerëz që do të ma bëjnë më të lehtë punën për ndërtimin e një skuadre sa më të mirë, ku tu japim mundësinë të gjithë talenteve tona kudo që janë.
- Paraardhësi juaj, Gega, ka thënë që duhet ta nisni punën nga e para, të formoni një grup të ri. A keni diskutuar me të?
- Para se ta merrja këtë detyrë, nuk kisha informacione të plota, por të jeni të sigurt që e kam parë dhe do ta ndjek me më tepër intensitet kampionatin e moshave në Shqipëri.
- A u druheni presioneve dhe ndërhyrjeve në Shqipëri për përzgjedhjen e elementëve?
- Jo. Kush ta meritojë, do të bëhet pjesë e sfidës. Fjalën presion se kam njohur asnjëherë.
Në Greqi luajnë shumë të rinj shqiptarë.Aa keni ndonjë listë paraprake për më të spikaturit?
- Ka disa emra, por për momentin nuk më duket me vend ti përmend. Shpresojmë që të kemi prurje, futbollistë të rinj që do ti shërbejnë ekipit dhe sistemit zinxhir, për të ushqyer me elementë cilësorë ekipin e parë kombëtar.
Emri Strakosha sa do të ndikojë te të rinjtë shqiptarë për të preferuar Shqipërinë përpara vendeve të tjera?
- Uroj dhe shpresoj të ndodhë kështu, pastaj zgjedhja është personale dhe familjare. Mbi të gjitha ka rëndësi se sa është brenda tyre Shqipëria. Djemtë e mi kanë edhe pasaportë greke, por Shqipëria është vendi ku babai i tyre mori gjithçka që ëndërron dhe dëshiron një futbollist në karrierën e tij, plus dashurinë e pakufishme të tifozëve Kuq e Zi. Strakosha është i Shqipërisë.
Më 29 nëntor hidhet shorti i kualifikueseve
Më 29 nëntor, pra pas disa ditësh, do të hidhet shorti i kualifikueseve për Europianin 2012-2013, që do të luhen vjeshtën e ardhshme. Në raundin kualifikues marrin pjesë 48 skuadra, që do të formojnë 12 grupe. Pas shortit do të vendoset se cila nga skuadrat e grupit do të jetë pritëse për zhvillimin e ndeshjeve.
Karriera e Foto Strakoshës
1985-1988 Minatori Tepelenë
1988-1990 Dinamo Tiranë
1991 PAS Janina
1991-1993 Ethnikos i Pireut
1993-1997 Olimpiakos
1997-1999 Panionios
1999-2002 Ionikos
2002-2003 Kallithea
2004 Prodeftiki
2004-2005 Panionios
1990-2005 Kombëtarja 73 ndeshje
