E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkumbini merr pikën e parë, Laçi teston të rinjtë

Sfida mes Laçit dhe Shkumbinit mbyllet në barazim, por më shumë vëmendje u është kushtuar të rinjve

Shkumbini – Laçi   1-1

Shënues: E.Magani15 / Vucaj  44

 

Shkumbini: Kotorri, Lundraxhiu (Balliu 67), Xhyra, Ramazani, Salliu, Shenaj (Isaj 68), Gjata (A. Magani 87), Kafazi, E.Magani, Lluca, Mustafaj. Trajner: K. Mile.

Laçi: Vashaku, Rexha, Hoxha, (Buljan 32), Hithi, Sefgjini, Muça (Selimi 46), Vucaj, Shazivari (Kastrati 32), Zefi, Lloga, Dragiçeviç. Trajner: N. Dede.

Kartonë të verdhë: Kafazi, Salliu, Mustafaj, Vucaj (2)

Karton të kuq: Vucaj

Gjyqtarë: A. Beqiri, G. Qirici, D. Myftari  (Tiranë)

Shkumbini ka marrë dje përballë Laçit pikën e parë në grup pas 3 takimesh, por më shumë se pika, pavarësisht rezultatit në fund, ka bindur me lojën e zhvilluar, duke qenë kërkues deri në fund. Ekipi laçian mund ta quajë veten me fat që arriti të ruajë deri në fund barazimin, duke marrë në Peqin pikë të vlefshme për tu kualifikuar. Shkumbini e nisi mirë takimin, duke shfaqur dëshirë për ta fituar ndeshjen dhe pikët e para në grup.

Dyshja sulmuese MustafajLluca, veçanërisht në pjesën e parë, funksionoi mjaft mirë dhe është merita e portierit Vashaku që Laçi nuk pësoi gol. Duhej të vinte minuta e 15-të që Vashaku të dorëzohej, kur Gjata nga e djathta e sulmit jep një asist për Mustafajn për të nxjerrë më pas të lirë Endri Maganin në shtyllën e dytë, që shënon golin e avantazhit. Nga ana e vet, ekipi mik, edhe pse luan më i tërhequr,  nëpërmjet pasimeve të sakta kërkon ta ngacmojë portën e Kotorrit, duke shfrytëzuar aftësitë e sulmuesve nëpërmjet kundërsulmeve të shpejta.

Kur pritej fundi i pjesës së parë me avantazhin e Shkumbinit, është Erion Vucaj, nga më të mirët për ekipin e Laçit, që realizon golin e barazimit pas një gjuajtjeje nga distanca. Në fillimin e pjesës së dytë, trajneri Dede aktivizon Selimin për të përforcuar mesfushën. Janë futbollistët e Laçit në këtë pjesë që rrezikojnë të parët me Zefin, por shumë shpejt vjen reagimi vendas me mbrojtësin Xhyra, i cili gjuan me kokë dhe portieri Vashaku di të reagojë, duke grushtuar për të shpëtuar portën nga gola të sigurt.

Epërsia e vendasve bëhet më e madhe sidomos në 20 e fundit, kur kundërshtari detyrohet të luajë me një futbollist më pak, pas daljes me karton të kuq pas dy të verdhave të Vucajt. Vendasit e shpërngulin lojën në gjysmëfushën e kundërshtarit, duke qarkulluar dendur topin nëpërmjet pasimeve të shumta dhe veprojnë mirë deri në kufijtë e zonës, por pa qenë në gjendje të mposhtin Vashakun.

Deklarojnë:

Kristaq Mile, trajner i Shkumbinit: Takimin për kupë me Laçin e patëm vlerësuar si ndeshje kampionati, për të treguar gjendjen tonë reale dhe si një reflektim të asaj që treguam me Teutën 3 ditë më parë. Jam i kënaqur nga shpirti i garës që treguan lojtarët në fushë, por edhe në ndeshjen me Laçin u panë defekte pranë portës dhe në mbështetjen që duhet ti bënin repartet njëri-tjetrit në momente të caktuara. Futbollistët nuk duhet të futen në fushë me ndjenjën e inferioritetit, por si një ekip që di të luajë, di të mbrohet dhe të fitojë. Është fundi fazës së parë të kampionatit dhe gjërat vështirësohen më shumë.

Nevil Dede, trajner i Laçit: Mendoj që barazimi ishte rezultati më i drejtë për këtë takim. E patëm deklaruar edhe më përpara që nuk kishim pretendime të mëdha për këtë takim të kupës dhe mund të them që pika e marrë në Peqin më kënaqi, sepse testova të rinjtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›