E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana nuk e ndal hapin as në Kupë, fiton bindshëm me Apoloninë

NGA ERJON SALIU

Grupi A

Tirana             9 pikë 7-1

Laçi                            4 pikë 4-3

Apolonia                    3 pikë 5-10

Shkumbini     1 pikë 5-8

 

Bardheblutë janë të vetmit që kanë marrë tri fitore në raundin e parë, madje duke pësuar vetëm një gol në tri ndeshjet e zhvilluar

 

TIRANA APOLONIA     30

Shënues: Ferraj 30, Heples 44, Ndoni 83 (aut.)

TIRANA: Lika, Sina, Pisha, Dabulla, Hoxhallari, Taku, Karabeci, Heple, G. Lika (Bala 73), Ferraj (Morina 73), Peposhi (Tushe 55). Trajner: H. Rubio

APOLONIA: Xhixha, Dimo, Mehmetaj, Ndoni, Naçi (Bualli 46), Gërço, Muçaj, Agastra, Ribaj, Mahilaj (Jovani 63), Çimili (Prifti 79). Trajner: Dh. Papuçiu

Gjyqtarë: D.Jubica, M. Dervishi, Gj. Bori (Shkodër)

Tirana nuk e ndal vrullin edhe në kupë. Dje, bardheblutë kanë mposhtur Apoloninë në Qemal Stafa, e cila kishte aktivizuar shumë lojtarë të rinj, të cilët u kanë rezistuar bardhebluve, pavarësisht rezultatit të ndeshjes. Tirana në këtë sfidë ka shpërdoruar jo pak, por të paktën dhjetë raste flagrante për tu shënuar. Tri herë Heples, dy herë Bala, Morina, por edhe Ferraj, Taku e Karabeci dje kanë pasur mundësinë që të shënojnë.

Gjithsesi, bardheblutë kanë mundur fierakët me rezultatin e pastër 3-0. Serinë e golave e ka hapur Ferraj, i cili pas një krosimi prefekt të Gilman Likës, nuk e ka pasur të vështirë që ta dërgojë topin në rrjetë me të djathtën. Një minutë para se të përfundonte pjesa e parë, ka shënuar edhe Heples, por edhe te goli i mesfushorit nga Bahamasi meritë ka sërish Lika për krosin e saktë.

Sapo nis pjesa e dytë skuadrat bëjnë ndryshime, ka lënë fushën Peposhi për Tushen, ndërkohë që pak minuta më parë te skuadra fierake Naçi i ka lënë vendin Buallit. Tirana vazhdon të shpërdorojë raste me Heplesin, Takun e Ferrajn, ndërkohë që trajneri Rubio nervozohet akoma më shumë me të tijtë, që nuk tregohen të saktë para portës kundërshtare. Kurse skuadra fierake, falë dirigjentit Gërço në mesfushë kërkon që të ndërtojë aksione sulmuese, mirëpo vetëm iniciativa e Ribajt është shumë pak për të shënuar ndaj bardhebluve.

Fierakët, edhe pse gabojnë në mbrojtje janë energjik, madje lojtarët e tyre, edhe pse pjesa më e madhe të rinj, ambientohen me ritmin e ndeshjes. Rubio kërkon me çdo kusht që të thellojë avantazhin, madje bën edhe dy ndërrime për të freskuar sulmin. Largon Likën për Balën dhe Ferrajn për Morinën. Këta të dy merren vesh mirë me njëri-tjetrin, krijojnë raste falë mesfushës, por shpërdorojnë para portës së Xhixhës, i cili në pjesën e dytë është bërë tabelë qitjeje nga bardheblutë.

Trajneri i miqve, Papuçiu, aktivizon edhe dy lojtarë të rinj, në vend të Mahilajt futet Jovani, ndërsa Çimili i lë vendin Priftit. Mirëpo, kur pritej që myzeqarët të ngushtonin diferencën e golave, bardheblutë shënojnë, por këtë herë edhe me ndihmën e mbrojtësit Ndoni i cili topin e Heplesit, në përpjekje për ta largura, e ka devijuar në rrjetë. Kështu Tirana siglon fitoren e tretë radhazi dhe mbetet në krye të grupit.

Pas ndeshjes

Hulian Rubio, trajner i Tiranës: E kishim vlerësuar ndeshjen e Kupës. Thash se do të bëja ndryshime dhe aktivizova disa lojtarë pjesë të 18-shes. Për herë të parë luajti Hoxhallari. U aktivizua edhe Peposhi. Janë të rinj, por në ndeshjet në vijim duhet ta rrisin akoma më shumë rendimentin e tyre.

Për sa u përket Tushes, e aktivizova dhe i kam folur gjatë ndeshjes në mënyrë që të rriste rimin. Shpërdoruam raste, megjithatë kupa është një objektiv i Tiranës. Ne po paraqitemi denjësisht dhe jemi në rrugë të mbarë në këtë kompeticion.

 

Dhimitër Papuçiu, trajner i Apolonisë: Nuk u prononcua, por është larguar menjëherë pas ndeshjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›