Teuta e para në kampionat, por e fundit në kupë
Durrsakët sërish gabojnë në shtëpi, duke u ndalur edhe nga Kamza. Kualifikimi bëhet edhe më i vështirë
Teuta Kamza 1-1
Shënues: Stafa 72 \ Karapici 4
Teuta: Rizvani, Sheta, Osmani, Bakiasi, Stafa, Veliaj, Tahiri (A. Hoxha 67), Rugova (Frashëri 65), Mancaku, Dosti, Pepa (Çota 65). Trajner: H. Lika.
Kamza: Haxho, Likmeta, Ndreka, Hallaçi, Ardit Beqiri (Ardian Beqiri 82), Belçev, Mici, Manuka, Pema, Karapici (Ishka 67), Dalipi (Tafa 65). Trajner: E. Gjoka.
Kartonë të verdhë: Sheta, Osmani, Frashëri, Ndreka, Belçev
Gjyqtarë: K. Cjapi, I. Tartari, O. Grabova (Fier)
Teuta nuk arrin të ketë në kupë të njëjtin sukses si në kampionat, pasi edhe në ndeshjen kundër Kamzës luajtur në Niko Dovana sërish nuk ka arritur të fitojë, por ka dalë me një barazim, që kënaq Kamzën, por u ndërlikon situatën në grup durrsakëve. Në të vërtetë, ka qenë një ndeshje ku Teuta ka ushtruar një presion të jashtëzakonshëm në portën kundërshtare, sidomos pjesën e dytë, por Kamza, pasi ka shënuar që në fillim të ndeshjes, ka mbrojtur zonën e saj me forca të shumta, duke u munduar të dalë të paktën me një pikë nga Durrësi, gjë që e ka arritur.
Durrsakët, edhe pse me mungesa, janë impenjuar shumë, por kanë goditur vetëm një herë rrjetën kundërshtare. Që në fillim të ndeshjes Kamza kalon në avantazh. Në minutën e 4-t, në një goditjeje këndi nga e majta, Karapici godet mjeshtërisht dhe topi përplaset në tokë dhe, me gjithë rrëmujën e krijuar para portës durrsake, mbrojtja e pavëmendshme në atë moment nuk e devijon topin, që merr një trajektore tjetër dhe përfundon drejtpërsëdrejti në rrjetë.
Kamzalinjtë nuk ndalen dhe në një goditje dënimi në pozicion qendror në minutën e shtatë rrezikojnë sërish. Megjithatë, vetëm kaq kanë qenë minutat në të cilat Kamza është shfaqur rrezikshëm. Teuta ngadalë ka marrë frenat e lojës në dorë dhe e zhvendos lojën në gjysmëfushën kundërshtare, duke krijuar presion përballë Kamzës, që mbrohet me të gjithë futbollistët, duke mbajtur avantazhin.
Presioni i durrsakëve rritet dhe në minutën e 72-të ka ardhur edhe goli i barazimit. Mancaku ka shpërthyer nga e majta dhe kroson bukur brenda zonës, ku Stafa pranë portës godet fort drejt dhe në rrjetë, 1-1. Durrsakët vazhdojnë presionin, por tashmë Kamza është e ngjeshur e tëra në mbrojtje, ndërkohë që Teuta nuk gjen hapësira.
Trajneri Lika i kryen të gjitha zëvendësimet e mundshme për të fuqizuar sulmin, por rezultati nuk ndryshon. Në këtë mënyrë, durrsakët marrin një tjetër barazim në kupë, duke mbetur në kuotën e 2 pikëve, ndërkohë që Kamza ka dalë e kënaqur me këtë barazim nga Durrësi.
Deklarojnë…
Hasan Lika, trajner i Teutës: Patëm vështirësi në këtë ndeshje për arsye se kundërshtari luajti mirë dhe nuk gaboi në mbrojtje. Megjithatë, nuk besoj se Teuta ishte e ndryshme nga ajo e kampionatit, edhe pse kishim disa mungesa. Djemtë u impenjuan dhe krijuan volum të madh loje, sidomos në pjesën e dytë, por si për gabimet tona, ashtu edhe për meritë të kundërshtarit, që u mbrojt mirë dhe nuk krijoi hapësira, nuk arritëm të fitonim. Gjithsesi, ne nuk ndodhemi nën presion dhe synojmë të marrim tri pikët të plota ndeshjen e radhës në kupë, në mënyrë që të ngjitemi në renditjen e grupit.
Ernest Gjoka, trajner i Kamzës: Barazimi sigurisht që na shërben dhe kjo pikë ishte e vlefshme për ekipin tonë. Ne e kemi deklaruar që kemi objektivat tona edhe në kupë. Jemi të kënaqur me pikën e marrë në Durrës, ku djemtë kanë zhvilluar një lojë të mirë. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë dhe, nëse vazhdojmë kështu, kam bindjen që do ti arrijmë objektivat tona edhe në kupë.
