Kastrioti kalon pa problem Besën dhe merr kreun e grupit
Grupi C
Kastrioti 6 pikë 6-3
Luftëtari 6 pikë 6-5
Skënderbeu 6 pikë 4-4
Besa 0 pikë 0-4
Krutanët vërtet nuk shënojnë në pjesën e parë, por në të dytën nuk falin dhe autorët e golave sndryshojnë me të kampionatit
KASTRIOTI BESA 2-0
Shënues: Turdiu 57, Inkango 91
KASTRIOTI: A. Hoxha, Caca, Xhafa, Malakarne, Sefa (Vishaj 75), Alikaj, Agolli (Inkango 50), Tepshi (R. Hoxha 50), Plaku, Dragoi, Turdiu. Trajner: R. Ndreu.
BESA: Bakaj, Tragaj, Karriqi, Krasniqi, Perja (Duro 67`, Tusani, Duka (Gjini 46),Çelhaka, Dedej, Hasa (Fejzullahi 46), Hylviu. Trajner: G. Magani.
Kartonë të verdhë: Caca, Tusani,Gjini.
Gjyqtarë: O. Sokoli (Tiranë), M. Qeseri,S. Zeka (Shkodër)
Edhe këtë herë trajneri Ndreu ndeshjen e radhës për Kupën e Shqipërisë ua besoi kryesisht lojtarëve të stolit, të cilët nuk e zhgënjyen, përkundrazi, i dhanë një fitore plotësisht të merituar. Ata dhuruan jo vetëm me gola, por zhvilluan edhe një lojë mjaft të bukur.
Për mënyrën se si zhvillua takimi, gjithkush që ishte i pranishëm kuptoi qartësish se fitorja as që u vu në diskutim për asnjë moment, por ajo që ra më tepër në sy ishte loja që kërkuan të zhvillonin shumica e futbollistëve për të tërhequr vëmendjen e Ndreut për një vend titullari në skuadër në ndeshjet e superligës.
Megjithatë, rezultatin e takimit do ta vendoste përvoja e atyre futbollistëve, të cilët vazhdojnë ta mbajnë Kastriotin në kreun e tabelës në kampionat. Por e vërteta duhet pranuar e duhet thënë se në të gjitha aksionet që organizoheshin kontributi ishte i të gjithëve, pa as më të voglën diferencë. Ndërkohë, edhe kavajasit bënë një paraqitje dinjitoze, edhe pse objektivat ishin kret të ndryshme me vendësit.
Dhe Magani me të drejtë në fundin e takimit do të deklaronte se skuadra e tij e justifikoi për gjithçka sa priste nga ky takim. Pikërisht kjo paraqitje bëri që edhe loja në shumë raste të kalonte përmes fazave interesante, pavarësisht kualiteteve që krutanët kishin në fushën e lojës. Në veçanti ra në sy loja mjaft e bukur e portierit Bakaj, i cili në jo pak raste u bë shpëtimtar i vërtetë i golave tepër të sigurt.
Me këtë fitore, Kastrioti e bëri edhe më të sigurt objektivin e tij për kalimin në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë, sepse ngjitet në kuotën e 6 pikëve dhe në krye. Ndërkohë që këtë fundjavë ata do të presin për javën e dhjetë të superligës skuadrën peqinase, fitorja ndaj të cilëve është e detyrueshme. Çdo rezultat tjetër është i papranueshëm dhe i pajustifikueshëm. Kastrioti po ecën në rrugën e duhur në të dy frontet, por ky kampionat ka shumë rivalitet dhe si duket nuk mjaftojnë edhe fitoret e njëpasnjëshme.
Deklarojnë…
Ramadan Ndreu, trajner i Kastriotit: Edhe Kupa e Shqipërisë është një objektiv më vete në synimet e Kastriotit të këtij sezoni, ndaj e kishim vlerësuar makasimalisht edhe këtë takim. Dhe në të vërtetë e dominuam thuajse gjithë kohës takimin, duke pasur siguri të plotë te fitorja. Lojtarët që u aktivizuan kam mendimin se e justifikuan plotësisht besimin tim, duke bërë që të jenë kontigjenti i nevojshëm edhe në përballjet e kampionatit. Gjithashtu, edhe për lojtarët titullarë ky ishte një test mjaft i rëndësishëm, sidomos tani në prag të përballjes me Shkumbinin.
Gugash Magani, trajner i Besës: Synimi ynë për këtë sezon është kampionati, ku pretendojmë trofeun, i cili na siguron rikthimin e Besës në superligë. Në fakt, ndeshja e sotme ishte një provë reale e skuadrës, e cila provoi se Besa është në gjendje të ndeshet edhe me skuadra më të forta se vetja e të rezistojë deri në fund. Përgjithësisht futbollistët i zbatuan me korrektësi detyrat që u kisha ngarkuar, por ndërkohë u konstatuan edhe probleme, të cilat shpresoj ti rikuperojmë në ditët në vazhdim, deri në përballjen e radhës për kampionat.
