E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysa nderon Flamurtarin dhe i jep kryesimin e grupit

Nga GAVROSH PAPA

Sulmuesi i ekipit vlonjat është deciziv edhe në kupë, teksa me dopietën e tij bën një hap të madh drejt kualifikimit për më tej

Grupi B

Flamurtari      6 pikë 3-2

Pogradeci       4 pikë 4-3

Kamza                        4 pikë 3-4

Teuta              2 pikë 1-2

Pogradeci Flamurtari    1-2   

Shënues: Çela 58 \ Hysa 45, 83

Pogradeci: Petrovski, Çollaku, Lako (Kllogjeri 56), Drazhanin, Përe, Çela, Elmazi (Eminhazeri 74), Tanushi, Baze (Çipi 65), Jahaj, Saviç. Trajner: Y. Çekiçi.

 

Flamurtari: Spaho, Brahja, Progni, Lena, Veliu, Arbri, Rajoviç, Brkiç (Liçaj 88), Kuqi, Shtubina (Telushi 86), Hysa. Trajner: E. Lutaj.

Kartonë të verdhë: Çollaku

Gjyqtarë: M. Masha, E. Doda, E. Derraj (Tiranë)

Loja ka filluar e shpejtë që në minutat e para të takimit, ku vendësit, edhe pse kishin lënë në stol pjesën më të madhe të titullarëve, duke ju besuar shumë të rinjve në këtë takim, kanë kërkuar që të marrin iniciativën që në momentet e para. Flamurtari duket se kërkon fitoren, duke i dhënë rëndësinë e duhur takimit, ku nga takimi i fundit kundër Skënderbeut mungonin vetëm Sakaj dhe Abraham, për ti lënë vendin Arbrit dhe Brahjes, me Veliun të spostuar në të majtë të mbrojtjes.

Është pikërisht Veliu që jep sinjalin e parë në portën liqenore me një goditje nga 30 metra, por Petrovski largon në korne. Minutat në vazhdim janë liqenorët që i afrohen fare pranë golit në minutën e 20-të. Flamurtari fillon të lëvizë dhe është Lena që merr frenat e lojës në dorë dhe në minutën e 30-të lëshon një asist për Brkiçin, që godet fare pranë portës, por portieri Petrovski bën mrekullinë.

Pogradeci i beson kundërsulmit dhe në minutën e 40-të është Baze që lëshon një predhë të vërtetë dhe portieri Spaho e përcjell topin në korne. Dy minuta më vonë është përsëri Çela që godet fort, por është përsëri Spaho në një ditë të shkëlqyer, që shpëton portën nga goli. Atëherë kur të gjithë prisnin përfundimin e pjesës së parë, Flamurtari nis një kundërsulm të rrezikshëm dhe është Lena që lëshon një top për Hysën, që gjen të papërgatitur mbrojtjen pogradecare, duke gjuajtur shumë fort duke tundur rrjetën e Petrovskit.

Vendësit do të barazonin me Andi Çelën në minutën e 58-të. Çekiçi në pjesën e dytë fillon të lëvizë në pankinë, duke hedhur në fushë Kllogjerin dhe Çipin për të kërkuar golin. Flamurtari duket se nuk nxitohet, duke u mbrojtur me kujdes dhe i beson shpejtësisë së Prognit dhe Shtubinës nga krahët.

7 minuta para se të mbyllet ndeshja, Hysa merr një top të bukur në qendër, shtyn përpara dhe i vetëm me Petrovskin shënon me mjaft zgjuarësi, duke kaluar Flamurtarin në avantazh. Vlonjatët marrin tri pikë me vlerë në kupë, duke marrë njëkohësisht edhe kreun e grupit. Pavarësisht humbjes, pogradecarët nuk i kanë humbur shpresat për tu kualifikuar, madje janë vend të dytë, por në ndeshjet e kthimit kanë dy ndeshje jashtë fushe, tani është koha të përqendrohen te kampionati.

Deklarojnë

 

Ylli Çekiçi, trajner i Pogradecit: Ishte një takim që i kishte të tri rezultatet për mënyrën se si u zhvillua. Kemi ruajtuar plot 5 titullarë, duke parë rëndësinë që ka për ne takimi i së dielës në kampionat kundër Kamzës dhe u kemi dhënë mundësinë disa lojtarëë të rinj, që besoj se e kanë justifikuar këtë aktivizim.

Takimin e ka vendosur kualiteti i Hysës, pa mohuar dhe vlerat e disa lojtarëve të tjerë të Flamurtarit, që në këtë takim duket që e kishin vlerësuar në maksimum, duke aktivizuar lojtarët titullarë. Vëmendja jonë është e përqendruar në kampionat, ku në takimin kundër Kamzës do të japim çdo gjë për të fituar.

Edmond Lutaj, trajner i Flamurtarit: Ka qenë një takim shumë i bukur, një takim fair-play, në kushte normale, ndoshta duke parë edhe përbërjen e Pogradecit me lojtarë të rinj, e kemi menduar më të lehtë fitoren, por vendësit na ka vënë në vështirësi në momente të caktuar, por ne e kemi administruar si duhet takimin, duke arritur objektivin që kishim për këtë takim, duke e fituar atë. I falënderoj drejtuesit e Pogradecit për mikpritjen dhe u uroj suksese në takimet e tjera.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›