E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fotografia,dixhitalizohen Marubët

16/04/2005  Është plotësuar dixhitalizimi i fototekës “Marubi” në Shkodër. Mbi 250 negativë të fototekës së ruajtur në xham dhe platin, për 150 vjet tani mund të shikohen në kushte më moderne. Fototeka “Marubi”, që është në mbrojtjen e UNESCO-s si pasuri botërore, disponon me mijëra fotografi të realizuara nga fotografët më të njohur shqiptarë. Mes tyre gjendet edhe negativi i fotografisë së parë shqiptare, realizuar nga fotografi Pjetër Marubi. Fototeka është krijuar në vitin 1970, por në fondet e saj ruhen negative të fotografive që i përkasin një periudhe gati 150-vjeçare, duke nisur nga viti 1858.

Drejtoresha e Fototekës Kombëtare “Marubi”, Semiha Osmani, thotë se Fototeka është e lidhur kryesisht me familjen e njohur Marubi, duke filluar nga fotografi i parë shqiptar, Pjetër Marubi e pas tij, me Kel e Gegë Marubin. Por këtu ruhet edhe puna dhjetëra vjeçare e fotografëve të tjerë shkodranë të familjeve Pici, Jakova, Raboshta e Nenshati. “Gjithsej, në total, në Fototekën ‘Marubi’ bëhen rreth 500 mijë negativë, duke futur edhe fondin e ri të Angjelin Nenshatit”, thotë Osmani.

Sipas drejtoreshës Osmani, dixhitalizimi i fotografive të Fototekës “Marubi” do të ndihmojë për njohjen dhe ruajtjen më të mirë të vlerave të saj. Tashmë, në procesin e dixhitalizimit të këtyre fondeve është përfshirë edhe pasardhësja e fundit e familjes Marubi, Terezina Marubi.

Fototeka është një minierë, që dallohet jo vetëm për sasinë e madhe, por edhe shumëllojshmërinë, tematikat e ndryshme. Aty në xhamat e grumbulluar janë fiksuar veprimtari ekonomike, shoqërore, politike, administrative, ushtarake etj., të cilat përbëjnë një material të pazëvendësueshëm për studiuesit.

Fototeka pret të bëjë edhe një klasifikim të brendshëm të materialieve, që t’i shërbejë më mirë studiuesve. Këtu hyn edhe skedari ose aparati informativ, që do të jetë kronologjik, tematik dhe krahinor. Vitet e fundit, me fotot që ruhen në Fototekën “Marubi”, janë publikuar edhe disa albume e botime të tjera në Shqipëri, Francë, Itali e Spanjë.

Por fotot e kësaj fototeke janë shfrytëzuar edhe nga dhjetëra studiues shqiptarë dhe të huaj, për botime të shumta shkencore rreth historisë e kulturës shqiptare dhe ballkanike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›