E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fotografitë e para të “Porsche Panamera”



Muajt e pritjes tashmë kanë përfunduar. Një ditë para paraqitjes zyrtare, gazeta gjermane “Auto Motor und Sport” ka shkelur embargon dhe ka publikuar fotografitë e të dhënat e para për “Porsche Panamera”. “Porsche Panamera Gran Turismo” është i gjatë 4.97 metra, i gjerë 1.93 dhe i lartë 1.42 metra. Largësia mes boshteve është 2.92 metra dhe ai peshon dy tonë duke ofruar në këtë mënyrë hapësirë të konsiderueshme për bagazh. “Porsche” në fillim planifikon që në treg të ofrojë dy variante: “Panamera S” dhe “Panamera Turbo”. Të dyja modelet do t’i vërë në lëvizje motori 4.8 litërsh V8 me 400 KF në versionin “S” dhe rreth 500 KF në versionin Turbo me një çift turbo-mbushësish. Edhe pse tani për tani nuk mendojnë për Panameran me naftë, në një kohë të caktuar do të mund të shihnim modelin hibrid me motorin 3.6 litërsh V6 me benzinë dhe elektromotor. “Panamera” në treg do të paraqitet në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa gjermanët ambiciozë presin shitjen vjetore prej 20.000 deri në 50.000 njësi.

“YouTube” tani me format më të gjerë

Mjafton të shihen ekranet dhe televizorët e rinj dhe menjëherë është e qartë se formati i gjerë i videove (anglisht: widescreen) ka marrë epërsi ndaj modeleve të vjetra. Kësaj mode i është bashkuar edhe shërbimi më i popullarizuar online për shkëmbimin e video-materialeve YouTube, duke “zgjeruar” të gjitha video-materialet në bazën e vet. Nën formatet e gjera vlerësojmë ato që kanë përmasa të faqeve horizontale apo vertikale 16:9 apo 16:10, ndërsa formati tradicional 4:3 çdo ditë e më shumë po del nga përdorimi. Natyrisht, shumica e video-materialeve në “YouTube” janë në formatin e vjetër, prandaj në paraqitjen e re do të kenë dy vija të zeza anash. Mirëpo, në “YouTube” vlerësojnë se ky është një çmim i vogël i cili duhet të paguhet derisa përdoruesit të mësohen me formatin e ri, pas së cilës do të fillojnë të vendosin të gjitha materialet e reja në widescreen.

Nokia rrëshqitëse me pesë megapiksela

Celulari i ri nga kompania Nokia është telefon i mençur rrëshqitës, i cili, për çudi, ka tastierë të rëndomtë numerike dhe jo QWERTY. Një tjetër veçori e tij është edhe fotoaparati cilësor. “Nokia 6260” ka kamera të integruar me thjerrëza të prodhuesit të njohur Carl Zeiss me rezolucion prej pesë megapikselash. Përsa u përket lidhjeve, në të është WiFi e HSDPA, e është interesante që kjo është Nokia e parë që vjen me AGPS dhe softuerin Nokia Maps. Të gjitha këto futen në funksion nga sistemi operativ Symbian S40. Pajisja në treg do të paraqitet në fillim të vitit 2009, ndërsa çmimi do të jetë 299 funte angleze.

29 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›