Vathët rrathë, sinjali i parezistueshëm i dimrit 2008
Bizhuteritë janë mënyra më e mirë për t’i shtuar sharm, stil dhe elegancë bukurisë tuaj, duke dhënë një sinjal të parezistueshëm joshjeje. Ato mund t’i japin veshjes suaj epërsi dhe ta bëjnë të duket më tërheqëse. Nëse po shkoni në një mbrëmje, në një takim të zakonshëm apo në ndonjë vend tjetër, bizhuteritë janë gjithmonë të preferuara dhe i japin mjaft finesë fustanit që keni veshur. Ashtu si rrobat, edhe bizhuteritë vijnë dhe dalin nga moda. Stili i varëseve ose i vëthëve dallon nga viti në vit. Ja pse ato duhen zëvendësuar me të tjera sipas stinës që vjen, ashtu siç bëhet edhe me këpucët apo veshjet. Ja cilat janë disa nga bizhuteritë më të preferuara për stinën e dimrit 2008 për t’u dukur sa më bashkëkohore.
Vathët
Nuk po flasim për rrathët e parajsës, por për ata që mbahen në vesh dhe i japin pamjes suaj një stil mjaft femëror. Vathë që mbërthehen nga një buton apo nga ata që varen sigurisht që kemi shumë, por ja që veshët tanë duket se presin që të zbukurohen me rrathë! Janë sa interesantë, aq edhe trendi për këtë stinë të ftohtë dimri. Ato në të shkuarën janë mbajtur nga skllavet, por në shekullin XVIII vathët rrathë dolën sërish në modë dhe më e njohura e këtij stili ishte Maria Antoneta. Në vitet ‘70 ata ishin një nga aksesorët e pazëvendësueshëm të stilit hippie. Të mëdhenj e të lehtë, kombinohen mrekullisht me fustanet e gjata, por edhe palltot e çdo gjatësie. Nuk njihet origjina e saktë e vathëve rrathë, megjithatë të parët janë gjetur në Mesopotami, në varret që arrijnë të dëshmojnë për një periudhë deri në vitin 2500 p. K. Bëhej fjalë për vathë ku gdhendeshin forma gjarpërinjsh apo hëne, sipas besëtytnive. Përveç anës estetike ato shërbenin për të mbrojtur veshët, që konsideroheshin qendra e inteligjencës dhe u lejonin shpirtrave hyjnorë të hynin në trupin e njeriut. Sot vathët konsiderohen një nga shpikjet më rezistente në jetën e një femre, sepse vathët rrathë, dhe pse jo me formën më elegante ndër gjithë të tjerat, janë një aksesor që mund të shoqërojë çdo lloj stili: nga ai i vajzave të veshura me xhaketa lëkure, deri te zhveshja e supeve nga fustanet elegante bust.
Si në vitet ’90, ashtu edhe në ditët e sotme, nuk çuditemi tek i shohim edhe te personazhet më të njohura, pasi përshtaten lehtësisht si në jetën e përditshme, ashtu edhe në skenë, të kombinueshme me flokë të mbledhur fort topuz, apo të derdhur mbi supe. Vathët rrathë duket se rrethojnë idenë gjeniale, përgjigjen e saktë për të bërë përherë tendencë.
Varëset me perla
Varëset do të zënë një vend të rëndësishëm në këtë stinë të ftohtë dimri. Ato që do t’ju shkonin me veshjet e këtij viti janë varëset e mëdha me ngjyra të forta. Në këtë rast vathët duhet të jenë sa më të thjeshtë. Perlat janë rikthyer në modë për stinën e vjeshtës dhe dimrit 2008. Por ndryshimi nga vitet e shkuara është se tashmë nuk mund të përdorni vetëm një varg me perla, por disa të tilla, të cilat do të vareshin deri në pjesën e belit. Ky është një luk i guximshëm, por funksionon vetëm në rast se numri i aksesorëve të tjerë është i vogël. Çuditërisht vendosja e perlave për këtë vit mund të bëhet edhe nga meshkujt, të cilët mund t’i përdorin ato në ngjyrë të zezë ose me nuanca të buta.
Byzylykët me gurë
Kyçit të dorës do t’i kushtohet e njëjta rëndësi këtë vit, ashtu si dhe pjesëve të tjera të trupit që ne përdorim aksesorë për t’i zbukuruar. Megjithëse edhe ato më të thjeshtat janë mjaft të preferueshme, tendenca e fundit lidhet me byzylykët e mëdhenj me gurë të shndritshëm. Kjo do të bënte që dora juaj të duket më fine dhe elegante. Një aksesor të tillë mund ta krijoni edhe me fantazinë tuaj. Merrni një byzylyk të thjeshtë dhe dekorojeni me gurë sipas fantazisë. Ngjyrat më të preferueshme për gurët janë e zeza dhe e bardha.
Mban syze? Ja si të trukohesh
Syzat të tregojnë më joshëse. Mjafton të të mos nxjerrin në pah defektet. Ja disa nda sekretet për një luk gjithmonë të përsosur, edhe pse mbani syza.
Miopia
Nëse problemi është miopia, lentet e syzeve do të tentojnë ta zvogëlojnë edhe më tepër syrin, prandaj grimi i përditshëm duhet të jetë i tillë që të përmirësojë edhe këtë lloj problemi. Në këtë rast nuk është e këshillueshme të theksoni konturet e syve me ngjyra të errëta dhe të përdorni laps të zi në brendësi të syrit. Në vend të këtyre përdorni ngjyra të ngrohta dhe me dritë, të toneve mesatarisht të hapura. Nuk është gjithashtu i këshillueshëm përdorimi i tepërt i rimelit.
Hipermetropia
Në rastin e hipermetropisë, lentet do të zmadhojnë zonën poshtë syve, duke nxjerrë në pah problemet e lëkurës: rrudha, pore të zgjeruara, rrathë të errët. Prandaj duhet t’i kushtoni kujdes të veçantë aplikimit të krem-pudrës, duke e përhapur mirë për të evituar çdo teprim dhe kokrriza të formuara. Nuk këshillohet përdorimi i ngjyrave të zbardhura apo me shkëlqim perle, dhe preferohen dritëhije me tone më të theksuara. Mund të përdoret lehtësisht lapsi në brendësi të syrit. Rimeli duhet të aplikohet duke u nisur nga rrënja e qerpikëve. Nëse xhamat e syzave janë më të errët, duhet pa dyshim të përdorni një grim më të dukshëm.
Lentet
Për femrat që përdorin lentet me kontakt është mirë që grimi të bëhet pasi të jenë vendosur lentet duke bërë kujdes që pluhurat (tonet e dritëhijeve apo pudra) nëse bien të mos bëjnë pis lentet, sepse mund të shkaktojnë probleme me sytë. Edhe në këtë rast, për të njëjtën arsye, duhet shmangur përdorimi i lapsit në brendësi të qepallës së syrit.
29 Nentor 2008