Mbetjet plastike,13 mijë nxënës fushatë ndërgjegjësimi
Projekt për ndërgjegjësimin e nxënësve në shkolla lidhur me mjetet plastike. Kjo është nisma më e re e UNICEF dhe Ambasadës Hollandeze në Tiranë. Për ta vënë në zbatim do të angazhohen 40 shkolla në të gjithë vendin. Në total numri i nxënësve që do të marrin pjesë do të jetë 13 mijë. “Ky projekt ka për qëllim ndërgjegjësimin e tyre ndaj mbetjeve plastike, riciklimit dhe ruajtjes së një mjedisi sa më të shëndetshëm”, sqaruan përfaqësues nga UNICEF. Sipas tyre, shkollat e përfshira në Tiranë dhe disa rrethe do pajisen me nga një kosh të ri, ku çdo të hënë nxënësit do sjellin materiale plastike, qese e mbetje të tjera. “Nëpërmjet këtij veprimi do të bëhet i mundur ndikimi edhe në sjelljen e prindërve, mësuesve dhe të gjithë komunitetit për pastrimin e mjedisit nga këto mbetje të rrezikshme”, sqaron UNICEF. Sipas specialistëve të kësaj organizate, veprimet e nxënësve do të nxisin dhe biznesin dhe pushtetin lokal të mobilizohet më tepër në sigurimin e një ambienti sa më të pastër. Zbatimi i projektit do të merret përsipër nga grupimi mjedisor “Ekolëvizja”. Një sërë aktivitetesh do të organizohen në kuadër të këtij projekti, i cili do të zgjasë 18 muaj dhe do të shtrihet në 40 shkolla në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër dhe Korçë. Në takimin e djeshëm, ku u prezantua projekti, ishin të pranishëm përfaqësues nga institucionet publike në nivel qendror dhe lokal, përfaqësues të biznesit të fushës, sektori i shoqërisë civile, si dhe ekspertë të ndryshëm që do të punojnë për realizimin e tij.