Rimbursimi, ndryshon forma e hartimit të listës së barnave
ZIRINA LLAMBRO
Prioritete të caktuara mirë, përpara se të përmbyllet hartimi i listës me rimbursim. Ky do të jetë ndryshimi thelbësor i saj, në krahasim më atë të vitit të shkuar. Pas akuzave të atëhershme nga stafi i mjekëve për një listë barnash, e cila nuk ishte konsultuar në rang specialistësh, Ministria e Shëndetësisë ka nisur të korrigjojë gabimin. Burime të sigurta nga ky dikaster pohojnë se tashmë kanë nisur konsultimet e para me grupet e interesit dhe shefat e pavijoneve. “Brenda marsit do të mbyllet i gjithë procesi, në mënyrë që në prill lista të jetë gati. Në ndryshim nga vjet është parë me vend ndërhyrje për kategori të veçanta përfituese, ku bëjnë pjesë fëmijët, të sëmurët kronikë, të cilët do të jenë primarë”, sqaruan burimet nga ministria. Sipas tyre, ende nuk mund të flitet me saktësi për barnat që do futen apo do dalin nga skema. “Por ajo që dihet me siguri se është fakti se çdo ilaç i ri që do të futet në skemë, apo do të dalë jashtë saj, do të argumentohet në nivel ekspertësh. Jo siç ndodhi vitin e kaluar, ku në skemë u futën barna vetëm se ashtu donte ministri apo ndonjë drejtues tjetër”, pohuan burimet. Sipas tyre po bihet dakord me Institutin e Sigurimeve Shëndetësore, në mënyrë që lista e re mos dalë jashtë kostos që përballohet prej tij. “Vjet vetëm për pesë alternativa ilaçesh, të futura në listën e rimbursimit, me insistim të Ministrisë së Shëndetësisë, ISKSH-ja sipas llogaritjeve duhet të harxhonte rreth 1.4 miliardë lekë. Këto para zinin 1/3 e fondit total që do të shpenzohej për 351 medikamentet e listës. Në total për 2008 fondi ishte 4.2 miliardë lekë. Pra në këtë kontekst nuk u menduan mirë gjërat”, nënvizuan specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tyre, këtë vit kjo gjë do të korrigjohet. “I është dhënë rëndësi mendimit të shefave të pavijoneve, sidomos për sëmundjet kronike ku ka më shumë ilaçe me rimbursim. Po diskutohet edhe mbi cilësinë e barnave për të shmangur pikëpyetjet e ngritura lidhur me të”, vërejtën burimet nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë, sipas ISKSH-së, lista e re do të jetë gati brenda afateve të caktuara. “Brenda marsit do përfundojë hartimi e miratimi për t’ia dërguar më pas qeverisë, e cila vë veton. Këtë vit mbledhjet e konsultimet kanë nisur më herët se vjet”, pohuan burime pranë ISKSH.