Fotoja e juristit spanjoll përdoret për posterin e Bin Ladenit
Autori i Lajmit: Redaksia
MADRID – Një jurist spanjoll mbeti i habitur kur pas se FBI-ja kishte përdorur foton e tij për të treguar se si do të dukej kryeterroristi i Al Kaedës ditët e sotme. Gaspar Llamazares tha se nuk do të udhëtonte më i sigurt në SHBA tani që rrudhat dhe mimika e tij gjendeshin në foton e njeriut më të kërkuar nga Amerika. Mbeta i habitur, por dhe i zemëruar në të njëjtën kohë, pasi është e turpshme përdorimi i fotos së një personi normal për të krijuar imazhin e një terroristi”, – tha gjatë një konference për shtyp ditën e djeshme Llamazares. Policia federale amerikane e FBI-së ka shpërndarë në internet foto të liderit të Osama Bin Laden dhe liderëve të tjerë kryesorë të Al Kaedas se si ata mund të ngjajnë sot, të plakur. Imazhet origjinale janë të modifikuara prej specialistëve të policisë federale për të treguar se si mund të duken në ditët e sotme super të kërkuarit nga Uashingtoni. Përveç Bin Ladenit, për të gjithë liderët e tjerë të Al Kaedas qarkullon nga një imazh. Në rastin e Bin Ladenit janë hedhur në qarkullim dy foto, njëra me çallmë në kokë dhe me mjekër mjaft të gjatë dhe tjetra pa çallmë dhe me mjekër të shkurtuar. Në imazhet e publikuara në internet, për çdo informacion mbi shumë të kërkuarit jepen edhe shpërblime. Kështu për të dhëna të sakta në lidhje me Osama Bin Laden SHBA-ja ofron 25 milionë dollarë si shpërblim.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2010