Ukraina zgjedh sot presidentin, favorit prorusi Janukoviç
Autori i Lajmit: Redaksia
Kiev - Kandidatët në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë bënë përpjekjet e fundit për të bindur votuesit, në ditën e fundit të fushatës, në prag të zgjedhjeve presidenciale, të cilat zhvillohen sot. Anketat e opinionit publik dëshmojë se udhëheqësi prorus i opozitës, Viktor Janukoviç, kandidati i mposhtur në zgjedhjet e vitit 2004, pas ‘revolucionit të portokallinjtë’ në Ukrainë, kryeson bindshëm para kandidatëve të tjerë. Janukoviç ka shprehur besimin se do të fitojë bindshëm qysh në raundin e parë të zgjedhjeve, por megjithatë ai ka shumë mundësi që të mos e sigurojë që në fillim një fitore. Ai mendohet të fitojë në raundin e dytë, i cili është parashikuar të zhvillohet më 7 shkurt. Në këtë raund, pritet të kualifikohet edhe kryeministrja aktuale e Ukrainës, Julia Timoshenko, për të cilën analistët besojnë se ende ka kohë që të zvogëlojë epërsinë e Janukoviçit, në tri javët e mbetura deri në raundin e dytë zgjedhor. “Mendoj se intriga nuk ka përfunduar ende. Natyrisht, Timoshenko do ta ketë vështirë të fitojë në raundin e dytë. Por mendoj se ajo ka gjasa për të fituar, nëse arrin të joshë votuesit të cilët dëshirojnë integrimin evropian dhe nëse josh votuesit e kandidatëve të mundur”, - deklaroi drejtori i qendrës për studime politike “Penta”, Volodimir Fesenko. Presidenti aktual i Ukrainës, Viktor Jushçenko, kryesuesi i ‘revolucionit të portokallinjtë’, i cili është angazhuar për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe BE, pritet të humbasë për shkak të dështimit të revolucionit dhe të eliminohet qysh në rrethin e parë. Këtë vit në Ukrainë, ka 18 kandidatë për president, por analistët mendojnë se vetëm dy prej tyre kanë një shans real për të fituar. "Ajo që është disi e çuditshme, është mënyra se si paraqitet zoti Jushçenko, sikur të ishte akoma një lojtar i rëndësishëm në arenën politike, dhe duket tepër i sigurt që do të arrijë të futet në raundin e dytë të zgjedhjeve. Nuk shoh ndonjë mundësi që të ndodhë diçka e tillë, pasi ai thjesht nuk ka popullaritetin apo mbështetjen e duhur në Ukrainë që të arrijë raundin e dytë”,- thotë David Merpëls që është pedagog në Universitetin ‘Alberta’ në Kanada. Analistët mendojnë se situata është shumë larg nga ajo e “Revolucionit Portokalli” në vitin 2004, kur mbështetësit e zotit Jushçenko dolën në protestë kundër rezultateve të zgjedhjeve që u shpallën të pavlefshme nga gjykata e lartë e Ukrainës. Presidenti Jushçenko dhe ish-aleatja e tij, zonja Timoshenko, filluan një luftë politike që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Analistët mendojnë se popullariteti kaq i ulët i Presidentit shpjegohet edhe me paaftësinë e tij për të zgjidhur problemet ekonomike të vendit, ku ekonomia është tkurrur me 15 % vetëm vitin e fundit. Zoti Marshall Goldman nga Universiteti Harvard thotë se ekonomia e Ukrainës është ndikuar shumë nga varësia ndaj eksportit të çelikut dhe fakti që kërkesa për të ka rënë shumë: "Si mund Ukraina të diversifikojë ekonominë e saj, në mënyrë që të mos jetë më e orientuar në teknologjinë e vjetër e bazuar në metale? Ata duhet të zgjerojnë spektrin ekonomik, por kjo nuk është diçka e lehtë”.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2010