E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fqinjësia e mirë dhe kthimi i pronave

TIRANE - Pë r b ë n n j ë z h v i l l i m interesant në rajonin tonë reagimi me forcë i Hungarisë, në nivel qeveritar dhe zyrtar,
ndaj ligjit të ri të miratuar nga Serbia për kthimin dhe kompensimin e pronave, i cili, pas miratimit nga parlamenti serb dhe nënshkrimit të dekretit nga Presidenti Boris Tadiç, hyri në fuqi me 6 tetor. Thelbi ligjit është që ndalon kthimin apo kompensimin e pronave për të gjithë ata, që kanë bërë pjesë në forcat pushtuese gjatë viteve 1941-1945, por edhe për trashëgimtarët e tyre të sotëm. Kjo prek në mënyrë të drejtpërdrejtë, dhe privon nga e drejta e kthimit dhe e kompensimit të pronave, të gjithë komunitetin prej mbi 350 mijë hungarezësh, që jetojnë në Vojvodinë. Në vitet 1941-1944 në Vojvodinë ka hyrë ushtria e Hungarisë, dhe në atë rajon, ku shumica e popullsisë ishte hungareze, dhe ku vetëm pak kohë më parë, në vitin 1918, Vojvodina iu shkëput Hungarisë, pjesë e së cilës ka qenë për 1000 vjet dhe iu dha padrejtësisht Serbisë me Traktatin e Trianonit. Është e kuptueshme se shumë banorë lokale hungareze u bashkuan me forcat e ushtrisë, qe vinte nga shteti amë.
Tani e gjithë popullsia hungareze, e cila për shkak të spastrimit etnik të ndërmarrë nga Serbia, që nga 1918 e deri në ditët tona, nuk është më popullsi dominuese në Vojvodinë, ndëshkohet në mënyrë kolektive si popullsi, që të mos marrë pronat e trashëguara të çdo lloji, të cilat i ka konfiskuar arbitrarisht regjimi komunist menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Konfiskimi masiv i të gjitha pronave të hungarezëve në Vojvodinë u aplikua nga shteti komunist serb edhe si një mënyrë për të detyruar hungarezët të iknin nga Vojvodina.
Tani që kthimi dhe kompensimi i pronave është një nga detyrimet, që kanë shtetet aplikante për në Bashkimin Europian, Serbia miratoi këtë ligj, por në një formë me karakter të hapur diskriminues antihungarez, që sipas deklaratës së sekretarit të shtetit në MPJ të Hungarisë, Eniko Gyori, " në fakt të gjithë hungarezët etnikë në Vojvodinë janë të përjashtuar". Ligji i ri serb është ndërtuar mbi bazën e parimit negativ dhe armiqësor të fajit kolektiv të popullit hungarez në Vojvodinë. Kjo është në kundërshtim me të gjithë normat dhe aktet ligjore ndërkombëtare, me të drejtat e njeriut dhe me vlerat dhe parimet e Bashkimit Europian. Ligji i ri demonstroi se fryma europiane, për të cilën pretendon se priret udhëheqja shtetërore e Serbisë, është ende larg nga Beogradi. Ligji ka karakter të qartë politik dhe selektiv etnik. Vetë zëvendëskryeministri i Serbisë, Bozhidar Djeliç, duke mbrojtur ligjin e kontestuar deklaroi se, ligji përkujton ata të cilët luftuan kundër fashizmit dhe ata të cilët ishin mbështetës të tij. Kemi një interpretim të hapur politik dhe tipik komunist, me një qëndrim armiqësor ndaj një popullsie të tërë prej mbi 350 mijë vetash, që është aktualisht popullsia hungareze në Vojvodinë.
Është një gjë pjesëmarrja në krime e disa individëve vendas gjatë luftës së dytë botërore, dhe është tjetër gjë pjesëmarrja, punësimi, detyrimi për të punuar apo logjistika e banorëve lokalë hungarezë në forcat e ushtrisë hungareze në Serbi në ato vite. Nuk ka dhe nuk mund të ketë proces dhe vendim gjyqësor dënimi dhe sekuestrimi për një popullsi të tërë. Konfiskimimi dhe sekuestrimi, që ndërmori regjimi komunist menjëherë pas luftës së dytë botërore me akuzën kolektive "të bashkëpunimit të hungarezëve me pushtuesin", kishte qëllim të dënonte një popullsi të tërë sepse ishte hungareze dhe me objektivin që ai rajon të ç'popullohej nga hungarezët autoktonë, që hungarezët të ç'visheshin nga pronat dhe të shtypeshin më lehtë. Të njëjtën gjë pësojnë në dritën e këtij ligji e gjithë popullsia hungareze e Vojvodinës, e cila sot dënohet kolektivisht për fajet e disa gjyshërve 70-75 vjet më parë.
Qeveria e sotme e Serbisë po sillet ndaj popullsisë hungareze njësoj si regjimi komunist pushtues serb i asaj kohe. Është një qëndrim i papranueshëm për një shtet, i cili kërkon të bëhet anëtar i BE dhe që pretendon të marrë me bonus statusin e shtetit kandidat. Është një arrogancë shtetërore nacionaliste në shkeljen e të drejtave dhe interesave të një popullsie të tërë, ndaj nuk kaloi dhe nuk mund të kalonte pa reagimin e duhur shtetëror të Hungarisë. Qeveria hungareze dënoi zyrtarisht, publikisht dhe në kanale diplomatike, ligjin e ri diskriminues antihungarez, të miratuar nga Serbia. Ambasadori i Serbisë në Budapest u thirr në Ministrinë e Jashtme të Hungarisë, dhe krahas protestës, iu parashtrua qëndrimi i qeverisë hungareze, sipas të cilit ky hap po e detyron Hungarinë të rikonsiderojë mbështetjen për statusin e shtetit kandidat të Serbisë në BE. Qeveria hungareze i ka kërkuar Serbisë të ndryshojë nenet diskriminuese të atij ligji dhe në të njëjtën kohë ka njoftuar edhe Komisionin Europian të BE-së për këto zhvillime.
Qëndrimi dhe veprimi i shtetit dhe i diplomacisë hungareze merr një vlerë dhe rëndësi të veçantë për rrethanat ballkanike sepse konfirmon dhe mëson se fqinjësia e mirë mes shteteve nuk mbahet duke heshtur dhe duke pranuar çdo lloj shkelje ligjore, zyrtare publike, që një shtet fqinji bën ndaj pjesëve të kombit tënd. Hungaria, shtet demokratik anëtar i BE dhe i NATO-s, demonstron se si duhet të mbrohen të drejtat e atyre pjesëve të popullsisë tënde, që për arsye të historisë ndodhen në territoret e shteteve fqinj. Siç theksoi zëvendëskryeministri hungarez Zsolt Semjen, shteti ynë ka detyrim të mbështesë ato komunitete të kombit, që historia i ka vënë në një situatë më të vështirë.
Mësimi i rëndësishëm, që shteti dhe diplomacia hungareze japin me këtë rast, është raporti që një shtet dhe një qeveri normale duhet të kenë dhe të mbajnë ndaj ligjeve të shteteve të tjera, të cilat prekin dhe cënojnë liritë dhe të drejtat e komuniteteve të tyre etnike në shtetet fqinj. Ka një teori të qeverive dhe të diplomacive të dobëta në Ballkan, sipas të cilave ligjet e një shteti tjetër, pavarësisht se dëmtojnë komunitetet e tyre në shtetet fqinj, janë çështje e brendshme dhe nuk duhet të reagosh. Një ligj është çështje e brendshme, kur i trajton njëlloj të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike. Por ai pushon së qeni i tillë, kur një ligj u rrëmben pronat dhe të drejtat e pronave mbi baza etnike, kur i privon komuniteteve etnike të drejtën e rikthimit të pronave dhe të kompensimit të tyre mbi bazën e një akuze të rreme dhe të papranueshme të fajit kolektiv si "bashkëpunëtorë të fashizmit". Nëse miratohen ligje të tilla si ai i Serbisë, një shtet dhe një qeveri normale, ngrihet dhe duhet të ngrihet në këmbë të mbrojë interesat dhe të drejtën e pronës së komunitetit të vet në shtetin fqinj. Nuk u struk qeveria hungareze pas justifikimeve të pështirshme se çdo qytetar në Vojvodinë le të vrasë veten me procese gjyqësore kundër Beogradit dhe të kërkojë në rrugë gjyqësore pronat apo kompensimet e tyre. Qeveria hungareze veproi si shtet demokratik i përgjegjshëm dhe e bëri detyrë të saj, dhe jo vetëm problem të marrëdhënieve dypalëshe Hungari-Serbi, por madje edhe problem europian. Hungaria aktualizon parimin e madh të marrëdhënieve ndërkombëtare se nuk mund të ketë fqinjësi të mirë, pa kthimin e pronave tek bashkëkombësit e saj, të cilët aksidentet historike i lanë në kufijtë e fqinjëve.
Duke ndjekur qëndrimin dhe veprimin e Hungarisë, nuk mund të mos konstatosh me dhimbje se asnjë qeveri e Tiranës nuk ka protestuar kurrë zyrtarisht dhe diplomatikisht ndaj ligjeve të njëpasnjëshme, që janë miratuar nga qeveritë e shteteve fqinj kundër të drejtave dhe kërkesave të pronës së qytetarëve shqiptarë, që jetojnë në vendet fqinj. Përse nuk ka ndodhur më parë, do të merret historia, por ndoshta shembulli hungarez mund t'i nxisë të zgjohen tani dhe t'i bëjë të skuqen pak, kur të shohin se modele dinjiteti dhe integriteti kombëtar jep vazhdimisht jeta rreth e rrotull. Sidomos nga shtete si Hungaria, me historinë e së cilës kemi shumë dhimbje dhe halle të përbashkëta.
(GSH/BalkaWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›