Sarkozi “kërkon” në takime vetëm njerëz të shkurtër
Një punëtore e një fabrike në Normandi ka denoncuar presidentin francez Nikolas Sarkozi, se në takimet me “popullin” zgjedh vetëm njerëz që janë më të shkurtër se ai, që të mos bëjë figurë të keqe. Gjatë një vizite të presidentit francez Sarkozi në fabrikën ku ajo punonte, punëtorja ka deklaruar se u zgjodh të dilte në skenë përkrah tij vetëm se kishte trup të shkurtër, që ai të mos stononte. Deklaratën ajo e bëri në një televizion belg, Rtbf. Pyetjeve të vazhdueshme të gazetarit se ajo po thoshte se “nuk duhet të jemi më të gjatë se presidenti”, punëtorja i është përgjigjur “saktësisht!”. Por sipas pallatit presidencial francez, deklarata është absolutisht absurde. “Më është thënë se ajo është zgjedhur të marrë pjesë në aktivitet e të qëndrojë afër presidentit për shkak të shtatit të vogël që ka. A është e vërtetë?”, pyet një korrespondent. Por Elizeja ka përgënjeshtruar menjëherë deklaratën e të intervistuarës. “Eshtë totalisht absurde e groteske”, tha zëdhënësi i pallatit presidencial.