E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, mbyllen 3 shkolla

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Mbi 1500 nxënësve të ciklit 9-vjeçar në qytetin e Gjirokastrës u privohet e drejta për t’u arsimuar në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.
 Shkak është bërë gjendja tejet e rënduar në tre shkolla të këtij cikli brenda në qytet, njëra prej të cilave madje në qendër të Gjirokastrës. Mungesa e kushteve elementare higjienike ka justifikuar veprimin e ndërmarrë nga ana e Inspektoratit e Higjienës në Drejtorinë Rajonale të Shëndetit Publik për të mbyllur shkollat, të cilat duket se këtë situatë e kanë të trashëguar prej vitesh. Për shefin e Inspektoratit të Higjienës në Gjirokastër, Spiro Nako, gjatë kontrollit të realizuar së fundi nga kjo strukturë, u evidentua se në godinat e shkollave 9-vjeçare “Koto Hoxhi”, në lagjen më të populluar të qytetit “18 Shtatori”, ajo “29 Nëntori” në lagjen “11 Janari” dhe shkolla “Së Bashku” në lagjen “Zinxhira”, e mbipopulluar kryesisht nga minoriteti rom, mungojnë kushtet minimale të higjienës. Çështja më akute është papastërtia e tualeteve dhe mungesa totale e ujit në to. “Nëse brenda kësaj jave situata nuk do të pësojë ndryshime të dukshme, atëherë këto shkolla do të mbyllen, pasi gjendja e tyre higjienike përbën rrezik për shëndetin e nxënësve”, thuhet në një relacion të dërguar nga Inspektorati i Higjienës, Prefekturës së Gjirokastrës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse vendore. Ndonëse ky relacion ka ditë që u është dërguar strukturave shtetërore, nuk është ndërmarrë asnjë lëvizje për përmirësimin e infrastrukturës së brendshme. Mjaft herë Drejtoria Arsimore Rajonale për gjendjen aktuale në këto shkolla ka bërë përgjegjëse Bashkinë e Gjirokastrës pasi, sipas saj ajo siguron mbështetjen financiare dhe suporton rehabilitimet në ambientet arsimore. Për rastin konkret burime zyrtare nga bashkia kanë bërë të ditur për gazetën “Panorama”, se në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, ajo akordoi një shumë prej 1.5 milionë lekësh për ndërhyrjet në anekset e brendshme të tyre si dhe lyerjen e godinave të tjera shkollore. Ndërkaq nuk ka një reagim konkret nga ana e bordeve të prindërve të nxënësve në këto shkolla, por disa prej tyre kanë rrëfyer për gazetën “Panorama” se janë kategorik në qëndrim për të mos i çuar fëmijët në këto shkolla deri në plotësimin e kushteve të kërkuara. Në të kundërt, ata kërkojnë nga autoritetet shtetërore organizimin e mësimeve me turne në shkollat e tjera të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›