Recesioni ekonomik ul të ardhurat e emigracionit
Rënia globale ekonomike ka ngadalësuar dhe ulur në mënyrë drastike të ardhurat nga emigracioni, pasi vendet dikur shumë në lulëzim iu ofrojnë shumë më pak mundësi emigrantëve për një jetë më të mirë. Sipas një raporti të publikuar dje, imigrimi nga Meksika në SHBA është gati sa një e katërta nga sa ishte katër vite më parë. Sipas raportit, pothuajse gjysma e 1.4 milionë evropianëve lindorë që kanë migruar në Britani pas zgjerimit të Bashkimit Evropian në vitin 2004 janë kthyer në shtëpi. Migrimi në kufirin meksikan ra në 175.000 në 12 muajt e fundit, nga 653.000 që ka qenë në të njëjtën periudhë në vitin 2004-‘05, thuhet në raport, të prodhuar nga Instituti i Politikës së Migrimit me bazë në Uashington dhe shërbimi “BBC World”. Sipas BBC, njerëzit që kanë migruar në vende më të zhvilluar nuk kanë bërë përpara, por as nuk kthehen pas, sepse jeta që iu ofrojnë vendet e tyre është akoma më e varfër se ajo që bën një emigrant në një vend të zhvilluar. Ndërsa edhe fluksi i njerëzve ngadalësohet kanë rënë ndjeshëm edhe transferimet e të ardhurave që migrantët iu dërgojnë familjeve të tyre, thuhet në raportin “Migrimi dhe Recesioni Global”. Në raport, mes shifrave thuhet se që nga fillimi i 2008-ës, të ardhurat e migrantëve në Turqi kanë rënë me 43 për qind. Të ardhurat e tilla përbëjnë një të tretën e GDP-së së vendit më të varfër në Evropë, Moldavisë, dhe një rënie 37 për qind do të godiste rëndë ekonominë. Vetëm Bangladeshi e ka thyer parashikimin, madje e ka kthyer. Ky vend arriti 16 për qind më shumë të ardhura nga emigrantët që në vitin 2008. Raporti zbuloi se me gjithë reduktimin e mundësive për të gjetur punë, pjesa më madhe e emigrantëve qëndrojnë akoma në vendet e huaja me shpresën se gjërat do të përmirësohen.