E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca e Gjermania konsulta për financat

Shprehen kundër një fondi të përbashkët me bono thesari

Franca dhe Gjermania po tregojnë se janë sërish në union në idhje me çështjet madhore financiare të kontinentit. Këtë qëndrim të përbashkët e kanë shfaqur në disa nga takimet dhe nismat e fundit të ndërmarra së bashku kryesisht për sa i përket shpëtimit të euros. Këtë herë, Franca dhe Gjermania janë në unanimitet të fortë kundër krijimit të një fondi të përbashkët me bono thesari të vendeve të BE-së. Në vend të kësaj, të dyja vendet synojnë forcimin e politikës ekonomike të BE-së. Për këtë ranë dakord Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, dhe Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozy, në takimin në Freiburg. Takimi u shërbeu përgatitjeve të samitit të BE-së javën e ardhshme në Bruksel. Në këtë samit do të vendoset për mbrojtjen afatgjatë të monedhës së përbashkët, euro, prej spekulimeve. Kancelarja Merkel bëri thirrje për unitet në BE duke nënvizuar se "nëse dështon euro, ka dështuar Europa". Në sfondin e krizës në Eurozonës, Gjermania dhe Franca synojnë që të harmonizojnë më fuqishëm aftësinë e konkurrencës, si dhe sistemin fiskal në të dyja vendet. Kancelarja Merkel deklaroi, pas takimit me Presidentin Sarkozy në Freiburg se ministrat e Financave të të dy vendeve, janë duke punuar ndërkohë për vendosjen e bazës së harmonizimit të sistemeve fiskale. Në konsultime marrin pjesë edhe një sërë ministrash të të dyja qeverive. Konsultimet gjermano-franceze zhvillohen dy herë në vit. Në kuadër të takimeve në nivel ministrash, ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg dhe homologu i tij francez, Alain Juppé, në Strasburg ishin të pranishëm edhe në ceremoninë e vënies në shërbim të batalionit të këmbësorisë 291 të Bundesverit (Ushtria Gjermane). Ky batalion do ta ketë kuartierin në Illikirch-Grafenstaden pranë Strasburgut dhe do të bashkëpunojë me dy brigadat e tankistëve të ushtrisë franceze. Batalioni i këmbësorisë bën pjesë në brigadën gjermano-franceze, që deri më sot ka qenë e vendosur vetëm në tri kuartiere në Baden-Vyrtemberg. Qysh pas Luftës së Dytë Botërore, kjo është njësia e parë luftarake gjermane, që vendoset në një kuartier të përhershëm në Francë. Ministrat e Komunikacionit të të dy vendeve, Peter Ramsauer dhe Thierry Mariani përuruan një urë hekurudhore mbi Rin. Punimet për ndërtimin e kësaj ure zgjatën gati tre vjet. Vënia e saj në funksionim do të përshpejtojë qarkullimin e trenave mes Gjermanisë dhe Francës. Në urën me dy korsi mes Strasburgut dhe Kehlës trenat mund të udhëtojnë me shpejtësinë deri në 160 km/h. Kjo urë zëvendëson urën e viteve ‘50-të, në të cilën shpejtësia ishte e kufizuar deri në 100 km/h. Konstrukti i saj me një vlerë rreth 63 milionë euro është pjesë e së ashtuquajturës magjistrale europiane e qarkullimit të trenave të shpejtësisë së lartë, e cila kalon nga Parisi, përmes Strasburgut drejt Shtutgartit, Mynihut, Vjenës dhe Budapestit. Sipas të dhënave të policisë, shkas për masat e forta të sigurisë ishin kërcënimet e një aksioni proteste të sinjalizuar kundër takimit. Gjatë një shëtitjeje, që bënë në qendër të qytetit Merkel dhe Sarkozi, pati fishkëllima nga kalimtarë, që bënin sehir dhe njoftohet se policia arrestoi dy persona, një burrë që posedonte një thikë dhe një grua, e cila një shishe me ujë që mbante në dorë e spërkati në drejtim të të ftuarve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›