E Shtunë, 31 Tetor 2026

Franca false

Shtypi francez e ka kritikuar ashpër Kombëtaret e vet, pas humbjes të së enjtes mbrëma nga Meksika. Pas kësaj humbjeje, francezët e shohin veten pothuajse të eliminuar nga kompeticioni i Afrikës së Jugut.

“Fals”, ishte titulli i ballinës së të përditshmes L'Equipe. “Të dhimbshëm”, shkruante e përditshmja tjetër popullore, më e lexuar në Paris, e cila në faqen dytë shtonte: “Bleus nuk kanë më se çka të bëjnë në Afrikën e Jugut”.

“Një skuadër hiç e Francës i përgënjeshtron të gjitha deklaratat e Raymond Domenech dhe të lojtarëve të tij për forcën, karakterin dhe kapacitetin e reagimit. Ky është një falimentim i trajnerit, i një sistemi federal dhe i një gjenerate të zyrtarëve falsë”, vazhdon shkrimin L'Equipe.

Nuk i kursyen aspak kritikat e tyre as dy të përditshmen mbretërore të Francës, Liberation e Le Figaro. E para flet për një ‘ankth Bleu”, duke nënvizuar se si futbollistët francezë ishin komplet jashtë, por që e mbron portierin Hugo Lloris, që shpesh është gjendur i vetëm dhe mesfushorin e majtë Florent Malouda, që megjithatë u angazhua.

Le Figaro shkruante për një “sterilitet të dhimbshëm të sulmit francez”, duke shpjeguar se ekipit Bleus “i mungoi mizorisht” një vijë ofanzive, që do të ishte e “denjë për një kompeticion ndërkombëtar”.

Njeriu simbol i disfatës, përpos të shumë-urryerit, trajnerit Domenech, ishte edhe Nicolas Anelka, shembull i pamundësisë së francezëve për të gjuajtur në portë.

“Me të vërtetë nuk është më e mundshme. Sulmuesi i Chelseas nuk ia ka dalë ta ndërtojë të paktën një aksion pozitiv dhe nuk ka impresionuar asnjëherë përpara portës së kundërshtarëve. Dy goditjet jo të denja e kanë simbolizuar një paraqitje qesharake dhe mjaft zhgënjyese”, shkruan L'Equipe në një faqe të veçantë për futbollistët.

Shënjestër e kritikave ishte edhe Sidney Govou, “joekzistues që nga nisma e përgatitjeve”.

L'Equipe e konsideron si “bilanc katastrofal” Botërorin e Govou, ndërsa pyet se “si është e mundur që Raymond Domenech ka insistuar aq shumë për lojtarin e Lyonit”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›